Performanca e Rita Orës në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, la në hije shumëçka tjetër, ndërsa plot 300,000 të pranishëm ndoqën nga afër spektaklin që dhuroi këngëtarja. U përfol shumë, edhe pse nuk ishin të paktë ata që kritikuan veshjen e Ritës lidhur me këtë event. Megjithatë, artistja morri akoma dhe më shumë vlerësime pas këtij angazhimi, duke lënë pas kështu një tjetër emër shumë të njohur në tregun ndërkombëtar, Dua Lipën.
Kjo e fundit u ‘kryqëzua’ nga fansat, pasi u përfol se kishte refuzuar të performonte pa para për ditën e pavarësisë. Kështu, prezenca e saj me 17 shkurt nuk u bë e mundur, por duket se pas gjithë kësaj fshihet një tjetër e vërtetë. Një njoftim zyrtar i ardhur nga Presidenca e Kosovës bën të ditur se nuk pati kurrë bisedime zyrtare lidhur me ardhjen e Duas apo Bebe Rexhës në atë datë të shënuar për vendin. Njëkohësisht, Dukagjin Lipa, babai dhe pjesëtari i stafit menaxherial të Duas, ka thënë për ‘Koha Ditore’ se edhe bisedimet e bëra për kohën dhe oraret e së bijes, kanë qenë të një niveli jo zyrtar.
“Edhe bisedimet e bëra kanë qenë në formë miqësore, dhe jo zyrtare. Prandaj, nuk është i vërtetë as pretendimi, as shuma e cila është përfolur në portale, pasaktësi për të cilën duhet të ndjejmë keqardhje”, është shprehur Dukagjini, ndërsa duket se gjithçka ka qenë në rang thashethemesh. Epo, të paktën u sqaruam!