Klodiana Shala është një ndër emrat më të dëgjuar të botës së sportit. Së bashku me Luiza Gegën, sportistet ishin të ftuara në ‘Pasdite në Top Channel’, ku diskutuan për shumëçka. Vajzat rrëfyen për miqësinë dhjetëvjeçare dhe sfidat që iu është dashur të kalojnë përgjatë rrugëtimit dhe karrierës së tyre.
Si rrallë më parë, Luiza ka zbuluar se idhulli i saj ka qenë pikërisht Klodiana, e cila më vonë ishte kthyer dhe në krahun e djathtë të Gegës. Duke qenë se rrugëtimi i tyri në sport ka qenë ndër më të suksesshmit në Shqipëri, vajzat kanë folur edhe për vështirësitë që kanë hasur gjatë aktivitetit të ngritur brenda kufijve. Pikërisht në këtë pikë të bisedës, Klodiana ka dhënë një mesazh të guximshëm për të rinjtë.
“Sportistët profesionist të ikin sa më parë nga Shqipëria për t’u stërvitur jashtë. Ne nuk duhet t’i shajmë ata sepse bëjnë sakrifica, duhet të shkojnë në vendet ku e meritojnë”, ka thënë Shala, duke bërë kështu thirrja publike për largimin e sportistëve nga vendi. Sporti ka qenë një ndër fushat më problematike të Shqipërisë, gjë që është theksuar kurdoherë nga të përfshirët në këtë sektor.



















