KreuBusull

Mes biznesit dhe familjes, Samir Mane në një rrëfim pa dorashka!

Shumë pak mund të jenë ata që emrin e tij nuk e kanë të dëgjuar. Sa herë flitet për para, duket sikur krejt natyrshëm lind dëshira për të ditur më shumë. Kështu që, vështirë të themi se Samir Mane është i panjohur për shumicën. Njeriu më i pasur në Shqipëri, me një sërë biznesesh, që për hir të së vërtetës, edhe vetë ai e ka të vështirë t’i numërojë; “Mbi 30, në mos gaboj”, u përgjigj Mane në intervistën e fundit, kur u pyet pikërisht mbi këtë çështje.

I veshur sportiv, me një paraqitje brenda kufijve të së përditshmes, Mane u ul dje në kolltukun e të ftuarit tek ‘Xing me Ermalin’. Asnjë bizhuteri apo detaje të tjera të kësaj natyre, biznesmeni u shpreh se nuk ka ndonjë fiksim tipi prej të pasuri (siç mund të jenë orët e shtrenjta, gurët e çmuar etj.) Mes batutash e humorit, nuk ishte hera e parë që Mane rrëfente se fillimisht ka nisur me biznesin e shkëmbimit të parave. Ai zbuloi se pasuria kishte filluar të zinte vend kur Samiri ishte vetëm në moshën 22-vjeçare. ‘Sa para ke?’, ishte pyetja që, ashtu sikurse të gjithëve, i interesoi së shumti edhe Ermalit. Nuk ishte rasti tipik i ‘paratë nuk tregohen’, pasi Mane pati një arsyetim lidhur me mosdhënien e një përgjigje konkrete. “Edhe në këto momente që flasim, edhe kur unë jam në gjumë, paratë lëvizin dhe shtohen, si rrjedhojë e aktivitetit të pandërprerë të bizneseve”. Ai e pranoi se nuk sheh shuma të mëdha parash me sy, pasi gjithçka lëviz nëpërmjet sistemeve të caktuara bankare. Megjithatë, fraza si: “Dy milion euro nuk janë shumë për një biznes”, të kujtonin herë pas here, që po, pas asaj figure të veshur thjesht e sportiv, qendronte njeriu më i pasur në vend.

Projekti i tij i radhës të përfshin edhe më shumë në një botë imagjinare e të paprekshme, që për përqindjen më të madhe të popullatës është e paimagjinueshme. “Do të ndërtojmë një qytet të ri në Shkup. Quhet ‘Smart City’ dhe do të kushtojë më shumë se 300 milion euro. Është një projekt emocionues, ku do të përfshihet ndërtimi i apartamenteve, një qendre të madhe tregtare dhe disa kullave me zyra, në kryeqytetin maqedonas”, u shpreh Mane, duke zbuluar edhe më të renë nga aktiviteti i tij. Pavarësisht shumave marramendëse që përmendi gjatë intervistës, Mane deklaroi se përfshirjen në politikë do ta refuzonte në çdo rast. Madje, biznesmeni dukej se nuk dëshironte aspak të përfshihej në rrugëtime të tilla.

Sa i përket punësimit në bizneset e Manes, ky i fundit u shpreh se gjithçka bazohej në meritokraci, e kjo falë strukturave të ngritura për mirëfunksionimin e kompanive. Mbi 3200 punonjës, por Mane merrej me pesë kryetarë bordi në veçanti, duke shpjeguar se pas tyre puna degëzohej për të arritur deri tek punëtori më i thjeshtë. E pas gjithë këtij organizimi perfekt, fshihet dikush që ndërhyn herë pas here për të punësuar dikë tek bizneset e Manes. “Mamaja ime ndërhyn, vetëm nëse je nga Korça. Më thotë: ‘Është djali i filanes, fute pak në punë se gjynah, është djal i mirë’. Unë përpiqem t’i shpjegoj se si funksionojmë, përdor këto fjalët e mëdha, si struktura, meritokracia etj., dhe ajo më dëgjon dhe më thotë: ‘Mirë, mirë e ke ti, po fute pak në punë se është shumë djal i mirë'”, tregoi biznesmeni me humor, duke shtuar se në normalitet, gjithçka bazohet tek aplikimet për vendet e reja të punës.

E kur vjen puna tek familja, Mane vazhdon lumturisht i martuar me bashkëshorten e tij, Evën, ndërsa çifti gëzojnë katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë. A do ta lëshojë Mane ‘karrigen’ për ndonjërin në veçanti? “Të ikin të vazhdojnë shkollat njëherë, pastaj të shohim. Është ende herët të lëroj vendin unë”, ka thënë Mane, teksa publiku ka shpërthyer në të qeshura. Edukimi i fëmijëve? Të mos shpërdorojnë, edhe pse kanë. Mane tregoi se njërit prej djemve i ishte thyer aktualisht celulari dhe prej gjashtë muajsh vazhdonte të mbante të njejtin aparat. “Dua të mësohen që të mos shpërdorojnë”, tha Mane, teksa Ermali ia ktheu me humor: “Gjithë ai Neptun vetëm për çunin e Samirit kanë mbaruar telefonat”. Kur vjen puna tek e shoqja, Mane u shpreh me humor se është e vështirë ta surprizosh Evën, megjithatë shtoi: “Dhuratat më të bukura ia kam bërë kur kanë lindur secili prej fëmijëve”. Aktualisht, Eva merret me sektorin e projektit të Green Coast në firmën e Manes.

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF