Rreth një vit më parë, familja Haxhiaj u përball me lajmin se Lulzimi, kryefamiljari, ishte diagnostikuar me sëmundje të rëndë. Mjekët i dhanë vetëm 6 muaj jetë. Ishte i nevojshëm një transplant mëlçie, me qëllim që të shpëtonte. Këtu filluan gjithë dilemat.
Lulzimi, së bashku me vajzën dhe bashkëshorten ishin pjesë e “Ka një mesazh për ty”. Gruaja e tij tregoi sesi një vajzë me emrin Genta mori përsipër t’i dhuronte mëlçinë Lulzimit.
“Me Gentën ishim mikesha. U takuam një ditë në parukeri. Ajo kishte pyetur mikeshën time tjetër se pse isha e mërzitur. Ajo i tregoi se Lulzimi ishte shumë sëmurë dhe duhet të bënte transplant të mëlçisë. Genta kishte pyetur çfarë grupi gjaku ka dhe kur kishte mësuar se kishin të njëjtin grup gjaku, kishte marrë vendimin e madh”, tregoi bashkëshortja e Lulzimit, Vera.
Genta është vetëm 35 vjeç dhe është arsyeja se pse Lulzimi është ende gjallë. Transplanti u realizua në Cairio, Egjipt. Familja Haxhiaj e kishin ftuar vajzën për ta falenderuar publikisht.
“E kam thirrur që ta marrin vesh të gjithë këtë mrekulli të rrallë”, u shpreh Lulzimi.
“Vera më është gjendur në momente të vështira të tim eti që nuk jeton më. Kur e pashë Verën të humbur, pyeta dhe më thanë që bashkëshorti i vuan nga një sëmundje e keqe. Mora vesh që e ka grupin e gjakut si unë. E bëra për tim atë. Kam ndenjtur 36 orë pranë tim eti, sepse kisha idenë që do mbijetonte. Më ngeli peng që ndenja pranë tij dhe nuk luftova për të bërë diçka. Humbja e tij më ka lënë gjurmë. Jam shumë e lumtur sepse kam shpëtuar një jetë“, tregon Genta me lot në sy, të cilët kanë pak hidhërim dhe shumë lumturi brenda.



















