Është një ndër balerinët më të mirë që ka patur Shqipëria e njëkohësisht ndër më të suksesshmit. Kledi Kadiu e ka jetuar ëndrrën e tij të baletit përtej Adriatikut në shtetin fqinj Itali, duke u kthyer në idhullin e mijëra të rinjve që aspirojnë për t’u bërë balerinë.
Por duket se Kledi ka vendosur ta lërë për disa muaj Italinë dhe për t’u rikthyer në vendlindjen e tij, si pjesë e jurisë e spektaklit të kërcimit në Tv Klan. “Dance with me” do të rikthejë balerinin e njohur në Shqipëri, ku për 3 muaj rresht ai do të ‘gjykojë’ VIP-at që do të performojnë këtë sezon. Me siguri që Kadiu do të jetë në pozicionin e kryetarit të jurisë, të cilin në edicionet e kaluara e ka patur koreografi Albi Nako.
Ka qenë Alketa Vejsiu ajo që e ka bërë publike këtë lajm nëpërmjet një statusi në Instagram ku konfirmon pjesamrrjen e koreografit dhe balerinit të famshëm si anëtar jurie si dhe fton të gjithë fansat e këtij spektakli që javën e dytë të shtatorit do të nisë gara e bukur e kërcimit.