Mbrëmjen e djeshme është mbajtur nata e parë e festivalit të fundvitit dhe siç është lajmëruar edhe më herët i ftuar special ka qenë Ermal Meta, këngëtari shqiptar që fitoi festivalin e Sanremos në vitin 2017. Siç premtoi edhe në konferencën për shtyp, artisti i njohur këndoi live me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar, dy këngët e tij më të njohura “Non mi avete fatto niente” dhe “Piccola Anima” duke emocionuar mijëra fansa që ishin të pranishëm në sallë.
Por ajo që prisnin me vëmendje të gjithë ishte surpriza që Ermali kishte përgatitur për publikun shqiptar, duke bërë atë që më së shumti ëndërronim: të këndonte shqip. Ylli i muzikës risolli këngën e njohur të artistes Anita Taka “Në bankat e shkollës moj mike” të cilën e këndoi live në skenë së bashku me Ana Gojlën, prezantuesen e festivalit të këtij viti.
Meta dhe këngëtarja kanadeze me origjinë shqiptare, si dy artistë që jetojnë jashtë kufijve ‘folën’ shqip përmes këngës së njohur duke ngritur në këmbë e duke rrënqethur gjithë të pranishmit në Pallatin e Kongreseve. Një moment vërtet i paharrueshëm nga ky Fest ‘57



















