KreuStil Jetese

Për herë të parë, Anila Çela shfaqet me dy djemtë në një rrëfim si mama për Bordo

Prezantuesja e njohur e ekranit të Vizion Plus zbulon sekretet e rolit të saj në familje, profilin e saj si nënë e dy djemve, përtej impenjimeve në televizion

Edhe pse një paradite e vranët, Anila dhe të bijtë, Enio dhe Ador, shijuan akulloret e Yoghurteria në zonën e ish-Bllokut, sikur të ishte një ditë me diell. Sapo janë kthyer nga lodrat dhe entuziazmi i shkëlqen në sy. Anila ka të njëjtin portret të ëmbël, me sy të kaltër dhe buzëqeshje të sinqertë, njësoj si në ekran. E takojmë në rolin e mamasë, ku dallohet një përkujdesje e shkujdesur për të bijtë, të dy çapkënë, shpesh të pabindur, kur e shohin të ëmën buzagaz, e kur ajo ngryset, kthehen në çunat e mirë të mamit. Në këtë intervistë ekskluzive për Bordo prezantuesja zbulon anën e saj të panjohur, atë të një mamaje e cila së fundmi po kalon më shumë kohë me djemtë e saj…!

Kanë kaluar disa javë nga startimi i “Nga e Para”, një program ndryshe nga ç’ka ishim mësuar t’ju shihnim, si po e përjetoni ‘shtëpinë e re’?

“Nga e Para” është një format televiziv që personalisht e kam ndjekur shumë disa vite me parë kur Vizion Plus e nisi për dy sezone radhazi. Mbaja mend detaje dhe histori nga sezonet e kaluara dhe kur ma propozuan për ta drejtuar këtë rikthim të tij realisht më pëlqeu shumë ideja. Është një format i njohur në mbarë botën, me maksimumin e audiencës, një patentë me shumë çmime televizive e si e tillë përgjegjësi e madhe më priste. Ndihem jashtë mase mirë në “shtëpinë e re”, dhe shumë mirë në shtëpitë e familjeve ku ne trokasim. Nuk është një punë e lehtë, terreni ka më shumë ngarkesë, lodhje, presioni kohës është tjetër sfidë.

Si natyrë e ndjeshme që jeni, si ja dilni për të përballuar emocionet kur gjendeni përballë realiteve të dhimbshme?

Shpesh më ndodh t’i them vetes se duhet ta shoh ftohtë, ta konsideroj si punë që duhet ta bëj mirë dhe kaq, por është e pamundur. Njerëzit shkruajnë pa pushim, tregojnë hallet e tyre, duan ndihmë, kanë besim te ne dhe është e pamundur të mos i dëgjosh të paktën, të mos shpresosh se një jetë e re do të nisë për ta. Ajo që duket në ekran është vetëm një pjesë e asaj që ne shohim çdo ditë. Kemi shkuar në shumë lagje, shtëpi, familje, çdo ditë ka njerëz tek dera e Vizion Plus që presin të na takojnë. Ka histori të dhimbshme që nuk mund ti fshish lehtë nga memoria. Megjithatë ne në fund të ditës jemi të kënaqur, pasi e dimë që kemi gëzuar një familje dhe kemi parë t’i rikthehet buzëqeshja disa fëmijëve.

U bënë rreth 15 vite në ekran, por pasi fiket drita e kuqe e kamerës, Anila ‘zhduket’. Nuk ju shohim në evente dhe daljet tuaja publike janë tejet të rralla…

Ndoshta nuk është normale për dikë që ka zgjedhur të punojë në ekran (qesh). Kjo ka qenë zgjedhja ime, shpesh mikeshat më kritikojnë për këtë, pse nuk dal kurrë, pse nuk pranoj ftesa, evente, inagurime. Kam preferuar të jem publike vetëm në ekran, mendoj se fakti që kam bërë gjithnjë emisione të përditshme më ka “ngopur” me praninë e kamerave dhe të qenit publike. Pastaj të jem e sinqertë eventet janë aq shumë formale sa më lodh ideja ku do shkosh diku për tu komentuar përgjithësisht për veshjen apo krehjen…! Miqtë e mi janë kryesisht jashtë botës së medias, ndaj shijoj më shumë shoqëritë e mia personale.

Njësoj keni zgjedhur të veproni edhe me djemtë; një mami shumë diskrete, por kërshëria e publikut për të njohur Anilën jashtë ekranit është e madhe…

Po ja e paska një të mirë edhe të qenit diskrete, zgjon kureshtje. Nuk e di pse kam zgjedhur t’i mbaj kaq shumë larg, ndoshta sepse jam pak natyrë posesive. Gjithsesi mendoj se fëmijët duhet të qëndrojnë kryesisht larg rrjeteve sociale, familja është familje dhe nuk ka pse të bëhet publike vetëm se njëri nga pjesëtarë del në ekran. Për më tepër djemtë e mi nuk kanë dëshirë të dalin në TV, ndoshta i duket e zakontë duke qenë se edhe im shoq punon në televizion dhe janë mësuar me punët tona.

Si reagojnë djemtë Enio dhe Ador, kur shohin mamin në ekran?

Asnjë reagim të veçantë! Për ata mami është në punë, kur isha tek “Pasditja” e vetmja arsye pse më shihnin ishte që të mbaronte emisioni dhe të llogarisnin kohën edhe sa do që mami të mbërrijë në shtëpi. Tani tek “Nga e Para” jam edhe vetë në shtëpi në atë orë dhe e shohim të gjithë bashkë, shpesh bëjnë pyetje dhe mundohem t’i shpjegoj se ka njerëz që nuk kanë kushte të mira. Ky emision më ka bërë t’i shoh gjërat ndryshe dhe kam kuptuar që edhe fëmijët duhet t’i mësojmë që në vegjëli për të ndihmuar, dhuruar e përkrahur. Kur më shohin duke përqafuar ndonjë fëmijë të vogël gjatë emisionit më shohin pak me “inat” (qesh)

Keni zgjedhur të jeni një mami e rreptë, apo tolerante? Nëse shihni që djemtë po bëjnë ndonjë çapkënllëk, i qortoni, apo rrëmbeni telefonin për të bërë foto e video?

Mendoj se i kam të dyja nga pak. Shpesh mendoj që kam qenë më shumë tolerante se sa duhej, më duket sikur nuk më dëgjojnë, ose sikur zëri im i ngritur nuk i bën përshtypje, dhe kështu ndryshoj taktikë e filloj me të qetë. Gjithsesi jam pro lirisë dhe tolerancës, fëmija duhet të luajë, të bëjë rrëmujë, të rrëzohet apo bëhet pis. Do kenë kohë kur të rriten të sillen si të rritur, tani duhet të shijojnë fëmijërinë.

Të jesh mama djemsh, është e vërtetë që je e përkëdhelura e shtëpisë, apo vetëm në teori ndodh kjo?

Jo se jam mama djemsh, por realisht i dua çunat shumë. Nuk kam qenë nga ato mamatë që kryesisht duan vajza. Për mua gjinia nuk ka qenë parësore. Kur janë të vegjël, kam përshtypjen se djemtë janë pak më të “vështirë”, më të lëvizshëm, më të prapë, i duan gjërat gati, madje edhe kur rriten…! Thonë që janë më të lidhur me mamatë dhe kjo më pëlqen ta mendoj si të vërtetë. Ndihem e përkëdhelur shumë shpesh, djemtë më japin pafund dashuri, më puthin, përqafojnë, ma shprehin dashurinë në çdo moment dhe jam e bekuar që i kam.

Duket se nuk do të largoheni asnjëherë nga Vizion Plus. Keni pasur oferta nga televizione të tjera dhe cili do të ishte ai program që do ta joshte Anilën për t’u ‘divorcuar’ nga ky ekran?

Tashmë në Vizion kam rreth 12 vite dhe e pamundur që të mos identifikohem me këtë logo. Patjetër që ka pasur propozime, por Vizioni nuk është vetëm një punë për mua, është një pjesë e gjatë e jetës dhe nuk është aq e lehtë të “divorcohesh”. Ndër të tjera në Vizion Plus jam ndjerë e vlerësuar dhe e përkrahur, jam shumë familjare me stafin, kam shumë miq, ka shumë arsye që njeriu të shkojë me qejf në punë, unë ambientin e kam shumë të rëndësishëm. Realisht nuk kam asnjë program që ta kem “ëndërr” dhe do më bënte të lëkundesha. Emisionin që kam pëlqyer jashtë mase si audiencë “Nga e Para”, tashmë po e bëj…

Jeni diplomuar për Farmaci, e mendon ndonjëherë veten aty pas banakut?

Ne kemi një biznes familjar, një farmaci ku qëndron mamaja e bashkëshortit duke qenë se është farmaciste. Mundohem të ndihmoj aq kohë sa kam me ndonjë punë teknike por vetëm kaq.

 

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF