Kur ne ishim fëmijë dhe me naivitet pyesnim prindërit tanë se pse nuk ishim ne dasmën e mamit dhe të babit, pas shpërthimeve të të qeshurave nga më të rriturit, mernim përgjigjen se kur mami dhe babi u martuan ne nuk kishim ardhur ende në këtë botë. Por me gjasë fëmijët e sotëm (ose një pjesë e mirë e tyre), nuk do t’ja bëjnë këtë pyetje naïve prindërve, pasi ata të veshur me kostume, apo me fustane princeshash, kanë zënë vendin e ‘nderit’ dhe janë bërë dëshmitarët më të ëmbël të ceremonisë së dasmës së prinderve.
London Noor: flokëkuqi sykaltër i familjes Liço, do të ishte një prej dasmorëve më të ëmbël të ceremonisë së dasmës së mami Sarës dhe babi Ledionit. Buzë Liqenit Como në Itali dasma e një muaji më parë që ende sot ndez kureshtje, mes dhjetra dëshmitarëve kishte edhe atë më të rëndësishmin, Londonin e vogël, prezenca e të cilit do të t’i sjelli me siguri shumë fat mamit dhe babit në rrugëtimin e tyre të përbashkët.
Lea: 29 qershori i këtij viti me siguri do të jetë një ndër datat më kuptimplotë për balerinin Kledi Kadiu dhe bashkëshorten Charlotte Lazzari. Mes qindra të ftuarve, ndër ta emra të njohur të showbiz-it Italian çifti i tha Po njëri-tjetrit, buzë Liqenit të Braçianos. E sigurisht dëshmitarja e nderit, e veshur me të bardha njësoj si mami, do të ishte e vogla Lea me sytë e kaltër. Ndonëse në memorjen e saj prej 2-vjeçareje me siguri këto momente të bukura nuk do të fiksohen për shumë gjatë, por fotot dhe videot e asaj dite Lea do t’i shijojë për gjithë jetën.
Troi: Me një mami Miss, jo më kot ai cilësohet si një prej fëmijëve më të bukur të showbiz-it shqiptar. Troi martoi mamin me babin katër vite më parë, kur ai ishte vetëm 1 vjeç. Mami Adrola dhe babi Adisi kurorëzuan dashurinë e tyre nëpërmjet një dasme të bukur, mes miqve, familjarëve e Troit të tyre të shtrenjtë. Edhe pse sot ish-miss-i është ndarë nga bashkëshorti, për Troin e vogël prezenca e tij në dasmën e mamit dhe babit do të jetë një kujtim shumë I bukur.
Tara: Vajza e këngëtarit Blero dhe aktores Teuta ka qenë gjithashtu dëshmitare e kurorëzimit të historisë së dashurisë së mamit dhe babit, pesë vite më parë. Tara, sot një vogëlushe e bukur e cila sapo ka filluar klasën e trete do të ketë shumë për t’i treguar shoqeve në fotot dhe videot e dasmës së prinderve të saj, ku ajo ishte dëshmitarja e nderit. Ndonëse Blero dhe Teuta sot nuk janë më bashkë, pasi kanë krijuar marrëdhënie të tjera me partnerë të tjerë, dasma e tyre me Tarën si dëshmitare do të mbesë një kujtim shumë i bukur për të tre.
Grace: “Hiri i Perëndisë” së Aurelës dhe Skerdit ishte aty kur mami u vesh nuse dhe babi dhëndër, ishte aty kur çifti erdhi në ceremoni hipur mbi motorr, ishte aty kur ata u betuan për dashuri të përjetshme, madje ishte vetë Grace që u çoi ftesën një për një të gjithë të ftuarve, pasi ftesat ishin në emër të saj. Tani ajo është bërë me një motër të vogël dhe me të drejtë do t’i mburret së motrës së ajo ka qenë në dasmën e mamit dhe babit. Megjithatë nuk përjashtohet edhe mundësia e ndonjë dasme surprizë nga Aurela, kështu ja bën qejfin edhe së voglës Abigail!



















