Turqia përgatitet të nisë sezonin turistik nga mesi i qershorit ( nëse cdo gjë shkon mirë). Po muajin e ardhshëm, do të nisë t`i presë vizitorët e huaj edhe Portugalia, për ekonominë e së cilës, turizmi është jetik. Mjaft vende europiane po shohin mundësinë e lëvizjeve gjatë verës. Megjithatë, ato duken më të prirura drejt turizmit të brendshëm.
Kryeministri Edi Rama tha në “Opinion” se janë dy vendimet më të rënda për të cilat po punohet për të nxjerrë një konkluzion sa i takon hapjes: ato mbi turizmin dhe transportin publik, për shkak të rreziqeve të mëdha që bartin sa i takon përhapjes së koronavirusit. Kryeministri foli për komunikime me BE-në, e tha se ne “ sot mund të sjellim më shumë turistë se çdo herë tjetër, kërkesat janë të pafundme nga Hungaria Ukraina, dhe vendet nordike, çështja është a duhet ti sjellim? Ata janë të organizuar me transporte ajri pritave. Janë qeveritë e tyre që thonë se në Shqipëri jemi gati ti sjellim, se jemi vend që ka situatën më të mirë nga të tjerët. Por pyetja është a duhet a s’duhet?”. Ky ishte komenti i tij. “ Janë shqiptarët që s’do lejohen të shkojnë asgjekundi. Nëse do kemi sezon turistik që në fakt do kemi, javë e ardhshme do kemi konkluzione për turizmin vendas. Por shqiptarët do ta kenë të pamundur për të bërë pushime jashtë. Kam bërë biseda në telefon me kolegë në Europë, por situata është e paqartë, ka qendrime të ndryshme për kufijtë si do jetë turizmi, të gjithë po synojnë turizëm të brendshëm ose me korridore, si Austria me Gjermaninë, me Danimarkën. Franca ka historitë e veta, Italinë nuk e do asnjë se duket me rrezik”, vazhdoi Rama.



















