Është ndarë nga jeta në moshën 84 vjeçare mjeshtri i valleve popullore Besim Zekthi. Artisti humbi betejën me një sëmundje të rëndë dhe mbylli sytë përgjithmonë këtë të dielë në banesën e tij në Tiranë.
Zekthi do të mbahet mend gjatë si një ndër talentet më të spikatur të valleve popullore, lëvizjet e të cilit janë fiksuar në memorjen e disa brezave.
Solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dijon-it në Francën e viteve 1970.



















