KreuStil Jetese

Luxury Holidays at Morina Palace!

Nga Ilda Lumani!


Një udhëtim i jashtëzakonshëm drejt Jugut. Sepse Jugu i Shqipërisë është gjithmonë i jashtëzakonshëm. Sa herë që shkon në të, gjithmonë të duket po aq i bukur. Po aq mahnitës… po aq magjepsës… është ndjesia sikur po zbret për herë të parë teksa pas kthesave poshtë Parkut Kombëtar të Llogarasë sheh horizontin e pamatë… Det dhe qiell, të bërë njësh… në një lidhje dashurie të përjetshme. Në një tërheqje të pambarimtë… si magnet na tërheq dhe ne… Adrola, Geljanti, Kristina, Fani, Albina, Imelda dhe unë duket sikur po e bëjmë për herë të parë këtë udhëtim! Dhe them vallë, çfarë ka kaq joshëse ky vend që tundon çdo njeri?! Përgjigjen e merr teksa mbërrin në destinacion, teksa shkel gurët e vegjël të plazhit… zhytesh në ujin e kristaltë dhe mbushesh me një energji dhe gëzim të pamatë!
Këtë ndjesi e provojnë të gjithë në këtë takim të parë me Jonin! Në çdo fillim sezoni. Sikur të jetë hera e parë…
Destinacioni ynë është “Morina Palace”, hoteli me pesë yje në Drimadhes, vendi më luksoz i Bregut që prej disa vitesh është kthyer në të preferuarin e turistëve dhe vendasve! Këtë verë ai është 100 për qind me pushues shqiptarë, të cilët e jetojnë verën në këtë oaz të pangjashëm me askënd tjetër!
Mikpritja, përkujdesja (shtoi kësaj edhe stafin mjekësor prezent për shkak të situatës), bukuria e natyrës dhe ajo e dorës së njeriut na dyjëzojnë në këtë kopertinë të radhës së BORDO. Çdo vend na duket i mrekullueshëm për foto. Palmat rreth e rrotull janë një bukuri më vete, që kthehen dhe në lokacionet tona. Mandej vendosemi në mes të detit për të parë këtë mrekulli përballë.
Është një editorial fotografik i frymëzuar pikërisht nga ky vend. Enada At’Nikolla realizoi këto fustane mbrëmjeje, me të cilat çdo vajzë do të ndihej në qendër të vëmendjes në netët verore, teksa bizhutë e diamanta nga Estel Jewelry zbukurojnë Adrolën tonë. Në plazh syzet janë një must dhe Italoptik kishte menduar disa produkte ekskluzive për ne.
Teksa Geli shkrep fotografitë e fundit në Yaht dhe plotëson panoramën e një jete përrallore me shampanjë e gota të kristalta, ëndrra nuk mbaron, por vetëm sa fillon! Është gusht, ndaj duhet të pushojmë dhe jetojmë këtë verë si një mundësi të rrallë për të gëzuar jetën!

______

Botuar ne Revisten Bordo

Gusht – Shtator 2020

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF