KreuBordo Men

Ndërron jetë legjenda e kinemasë; shuhet 007-ta i parë!

Legjenda e kinemasë Sean Connery, i cili u njoh ndërkombëtarisht me një nga rolet e tij më të spitakura si agjenti britanik James Bond, ka ndërruar jetë në moshën 90 vjeçare.

“Mu thye zemra kur mësova këtë mëngjes për vdekjen e Sean Connery-t. Kombi ynë vajton një nga bijtë e saj më të dashur”, tha kryeministrja skocez Nicola Sturgeon. “Sean ishte një legjendë botërore, por,para së gjithash ishte një skocez patriot e krenar”, shtoi ajo.

Sean Connery u rrit në një nga lagjet e varfëra të Edinburgut. Ai punoi si lustrues arkivolesh, shpërndarës qumështi e roje sigurie përpara se dashuria e tij për sportin “bodybuilding” do ta ndihmonte të niste një karrierë aktrimi që e bëri atë një nga yjet më të mëdhenj në botë, thotë VOA. Ai do të mbahet mend së pari si agjenti britanik 007, duke krijuar një thellësi të këtij karakteri që do të përcaktonte standardin për të gjithë ata aktorë që do të luanin më pas këtë rol.

Sean Connery ishte një mbështetës i flaktë i pavarësisë së Skocisë dhe mbante një tatuazh ku shkruhej “Përgjithmonë Skocia” ndërsa shërbente në Marinën Mbretërore. Gjatë ceremonisë në vitin 2000 kur mori titullin e kalorësit nga Mbretëresha Britanike Elizabeth në moshën 69 vjeçare, ai ishte veshur me kostumin tradicional skocez.

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF