Me flatra zogjsh
E lehtë, delikate, por edhe e fuqishme dhe e lirë, zbuloni të gjitha simbolet e fshehta të pendëve të zogjve të cilat ju sjellin fat
Një pendë e zezë korbi, një shumëngjyrëshe nga fazani apo e përhirtë fajkoi. Pendët e shpendëve kanë qenë që në fillim të kohërave një frymëzim, por edhe bestytni e fuqishme që njerëzit kanë përdorur që nga kohët e lashta deri në ditët moderne. Në kulturën e vendasve amerikanë besohet se të gjitha pendët e shpendëve posedojnë një virtyt, fuqi dhe mençuri. Simbolizon besimin, forcën dhe lirinë. Ndoshta ndjesia që njerëzit kanë dashur gjithmonë të fluturojnë i ka bërë ata që duke mbajtur një pendë të ndihen sikur janë në qiell, por nga ana tjetër mes njeriut dhe pendës ka diçka akoma më shpirtërore, sepse mendohej se kur shpirti largohej nga toka, ai fluturonte lart si një pupël. Luftëtarët rishtarë kur fitonin betejën e tyre të parë dhe tregonin aftësi dhe guxim, dekoroheshin me një pendë. Mendohej se kur një pendë bie në tokë, ajo mbart të gjithë energjinë e zogut dhe perceptohet si një dhuratë nga qielli.
Çdo lloj pende përfaqëson diçka të ndryshme. Por, penda e shqiponjës është një nga më të vlerësuarat. Shqiponja konsiderohet më e forta dhe më e guximshmja nga të gjithë zogjtë. Për këtë arsye, pendët e saj simbolizojnë guximin dhe forcën. Nëse është një pendë lejleku, atëherë ky është një simbol i amësisë, një imazh i cili sjell rimbushjen e shumëpritur të familjes; dhurohej tek një familje e re e cila ishte në pritje të ardhjes së një fëmije, pra konsiderohej edhe si shenjë e bollëkut dhe lindjes së një jete të re. Po kaq interesante është penda e gjelit, e cila simbolizon mençurinë dhe zhvillimin, por shpesh mbajtja e një tatuazhi të tillë tregon edhe seksualitetin, fuqinë e një partneri. Ngjyra e zezë, e cila vjen më shumë nga pendët e korbit mbron mbajtësit e tyre nga syri i keq, shpesh u jepej të sapoardhurve në jetë, por edhe djemve trima që të mos humbnin jetën në dyluftime.
Në fiset vikinge, mbajtja e një tatuazhi të tillë simbolizonte ringjalljen dhe pavdekësinë, ndaj prijësit dhe priftërinjtë ishin ata që i mbanin ato për të treguar se ata do të ktheheshin një ditë. Madje kishte legjenda që imazhi i pendës së gdhendur në trup ofronte një kontakt të ngushtë me shpirtrat dhe perënditë. Në Evropë kuptimi parësor me mbajtësin e saj lidhej me të qenit i pavarur dhe i lirë, një person i cili donte të bënte një jetë bohemiane. Por shpesh pendët i dhuroheshin atyre që kishin lindur me një talent, duke treguar se ata kishin një bekim, por edhe aspekt misterioz që e trashëgonin që nga lindja e tyre. Ndërsa në Greqinë e lashtë imazhi i një pende të varur në hyrje të një shtëpie simbolizonte statusin e familjes, duke treguar se ata ishin të pasur, ndaj jo kushdo mund të hynte brenda nëse nuk i takonte atij rangu. Kjo është edhe arsyeja që sot e shohim shpesh të varur brenda shumë shtëpive, pasi mendohet se mbajtja e një pende sjell pasuri, para dhe bollëk, qoftë nëse e vendosni në brendësi të ambienteve, por edhe jashtë saj. Po ashtu nënkupton se mbron nga syri i keq dhe çdo gjë që lidhet me mallkimet.



















