KreuFashion

Jusuf Atli, turku që zgjodhi Shqipërinë 

Nëse sot të shohësh një shtetas turk që ushtron profesionin e parukierit në Shqipëri është diçka fare e zakonshme, 10 vite më parë një ‘fenomen’ i tillë ishte habia më e madhe e shqiptarëve. Jusuf, i pari parukier turk që la vendlindjen për të ushtruar këtë profesion në vendin tonë, të ardhmen e tij e sheh vetëm këtu, në vendin ku ai vetë shtroi udhën e një etape të re; atë të ndryshimit të kulturës së meshkujve shqiptarë për t’u kujdesur për veten….

Fotografia: Erjon Beshiri 

Prej sa kohësh jeton në Shqipëri? 

Në Shqipëri jetoj prej 10 vitesh. Kam ardhur për herë të parë në 16 Shkurt të 2011, duke mos u larguar më që prej atëherë.

Pse vendose të lësh vendlindjen për t’u shpërngulur këtu? 

Këto 10 vite shumë gjëra kanë ndryshuar në Shqipëri. Arsyet e atëhershme dhe arsyet e tanishme pse turqit e lënë Turqinë për Shqipërinë janë shumë të ndryshme. Faktikisht nuk dija asnjë gjë për Shqipërinë por njihja shqiptarë që jetonin atje. Oferta më ka ardhur nga një shok i ngushtë që jetonte atëherë në Shqipëri prej një viti. Kemi qenë ndër turqit e parë në këtë fushë. Në fillim erdha vetëm për të studiuar vendin, dhe të them të drejtën erdha me mendimin që nuk do punoja këtu pasi dhe në Turqi kisha një pozicion mjaft të mirë. Por pasi pashë që këtu nuk ishte kultura që meshkujt të mbanin shumë veten, në ato momente thashë pse mos të jemi ne që ta ndryshojmë këtë kulturë. Pse mos t’i japim përparësi  shërbimit  ndaj bukurisë duke qenë se në fund të fundit çdo gjë fillon nga vetja. Kur e bën një punë me pasion dhe me dëshirën  për të ndryshuar shumë gjëra, atëherë puna merr përmasa më të gjera.

Çfarë të pëlqen dhe çfarë nuk të pëlqen tek shqiptarët? 

Shqiptarët janë një popull shumë i ngrohtë, i zgjuar dhe mikpritës. Nuk kam gjetur shumë ndryshime pasi pak a shumë kanë karakterin e turqve. Gjërat që s’më pëlqejnë, e para është; dembelizmi; duan shumë t’i kenë gjërat gati, ose nuk pranojnë të rriten gradë gradë në profesion por të gjithë kanë maninë për t’u bërë shefa dhe nuk e kanë shumë qejf punën. E dyta që dua ta lidh pak dhe me profesionin tim është: mungesa e theksuar e shërbimit  dhe komunikimit. Shikoj mungesë shërbimi dhe komunikimi të sjelljes në shumë sektore si restorante, kafe, qendra bukurie etj

A e ke patur të vështirë të integrohesh në një vend si Shqipëria? 

Të them të drejtën shumë pak. Pasi kam qenë dhe i shoqëruar gjithë kohës me shokë turq por dhe për sa i përket aspekteve të  tjera përsëri e kam patur të lehtë  pasi siç ju thashë më lart i vlerësoj  shumë shqipëtarët pasi është një popull shumë i dashur dhe gjithmonë të gatshëm për të të ndihmuar. Një popull i vogël po me dashuri të madhe!

Popullsia turke dhe shqiptare kanë shumë ngjashmëri me njëra-tjetrën? 

Aq sa janë të përbashkëta ka dhe shumë ndryshime. Duke qenë se Shqipëria ka kaluar dhe periudhën  e komunizmit, kanë mbetur akoma pasoja gjë që e ndan shumë nga Turqia, duke qenë se këtu ka më pak besimtarë, por shikoj qe kohët e fundit të rinjtë  shqiptarë kanë filluar më shumë duke besuar se sa prindërit e tyre. Kjo ishte përsa i përket besimit ndersa përsa i përket ngjashmërive, mund të them se Turqit dhe Shqiptarët janë popuj të dashur dhe tradicionalë që  veçohen nga Europa. Shikoj që edhe shumë fjalë dhe ushqime janë të përbashkëta. Duke qenë se nuk kanë shumë ndryshim dhe unë e kam gjetur veten shumë mirë dhe afër. Mikpritjen dhe respektin do veçoja përsëri.

Je ndjerë ndonjëherë i paragjykuar për faktin se je i huaj? 

Jo fare. Në Shqipëri të huajt i vlerësojnë më  shumë seç duhet, këtë kam vënë re. Ndonjëherë vetëm fakti se ai është i huaj për shqiptarët është gjë shumë e rëndësishme. Gjithmonë mendojnë se të huajt dinë t’i bëjnë punët më mirë dhe më bukur se vetë ata, gjë që mendoj se është e gabuar. Shqiptarëve nuk ju mungon as aftësia dhe as zgjuarsia por vullneti. Por shqiptarët e shikoj që i duan jo vetëm turqit por në përgjithësi  janë  të ngrohtë me çdo lloj shtetasi të huaj.

Çfarë të mungon më shumë nga Turqia? 

Ushqimet. Pavarësisht se dhe këtu ka ushqime të ngjashme, në Turqi ka shumëllojshmëri ushqimesh të cilat vështirë t’i gjesh në vendet e tjera. Gjithmonë për mendimin tim. Gjithashtu dhe familja pasi një pjesë e familjes time jeton atje aktualisht duke qenë se unë këtu jetoj vetëm me bashkëshorten dhe vajzën .

Cilat janë dallimet mes rinisë shqiptare dhe asaj turke? 

Nuk mund të them se ka dallime të shumta. Pak a shume kohët e fundit mendoj se të gjithë po shkojnë në të njëjtin drejtim. Por mund të them që shqiptarët e jetojnë më shumë jetën ndërsa turqit punojnë më shumë. Sikur të ishte një ndërthurje e këtyre të dyjave do ishte perfekte për të dyja palët.

Ku e sheh të ardhmen tënde? 

Në Shqipëri apsolutisht, sepse kam investuar një dekadë këtu dhe ndihem shumë i lumtur për çdo gjë që kam arritur këtu. I jam mirënjohës Shqipërisë dhe shqiptarëve pasi në fund të fundit me pëlqimin dhe përkrahjen e tyre jam këtu ku jam sot. Asnjëherë nuk duhet të harrosh se kush të mbështeti dhe kush të bëri të denjë për profesionin tënd.

Pse zgjodhe këtë profesion? 

Këtë profesion e kam filluar shumë i vogël diku te 13 vjeç. Dëshira për të bukurën, pastërinë dhe rregullin. Mendoj që çdo gjë fillon nga vetja. Një person që kujdeset për veten e tij, mund të kujdeset për familjen, për shokët, për të afërmit, për komunitetin etj. Më kanë pëlqyer gjithmonë njerëzit e kujdesshëm. Dhe arsyeja tjetër  është se kam patur dëshirë të zbukuroj unë njerëzit për t’i bërë ata të lumtur dhe të ndihet rehat me veten e tyre.

Duket se turqit kanë shumë talent në fushën e parukerisë! Në Shqipëri ka shumë turq që ushtrojnë këtë profesion!

Po ka shumë turq që  kohët e fundit i janë  futur fushës së parukerisë. Këtu do të kthej përgjigjen e pyetjes së parë që thashë arsyet e atëhershme ndryshojnë nga sot.. Në qoftë se më përpara ishte dëshira  e profesionit tënd sot shumë njerëz e bëjnë duke parë pjesën  e fitimit. Duke qenë se njerëzit kanë filluar çdo ditë e më shumë të kujdesen për veten, ka lindur dëshira që të bëhen shumë parukierë me idenë e pjesës së fitimit. Por nuk mund të bëhesh  profesionist asnjëherë duke punuar për fitimin por duke punuar për profesionin. Absolutisht ka dhe shumë njerëz të talentuar që unë i mbështes fort dhe ndihem krenar. Dhe mendoj  që  do vijnë akoma dhe më shumë turq për shkak dhe të popullsisë të madhe në numër atje por do jenë në fund njerëzit ata që do bëjnë dallimin dhe do të vlerësojnë sigurisht njerëzit profesionistë të fushës jo vetëm në parukeri por në çdo fushë të ndryshme.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF