KreuFashion

Intervistë/ Ilir Merkoçi; mjeshtëria  dhe filozofia e menaxhimit 

Njerëzit e zgjuar mësojnë nga gjithçka dhe të gjithë, njerëzit mesatarë nga përvojat e tyre, njerëzit jo të zgjuar tashmë i kanë të gjitha përgjigjet”. Personalisht vazhdoj të mendoj se rruga më e mirë drejt suksesit është prekja e çdo gjëje individualisht. Eksperienca ime e parë ka qenë shërbimi (kamarier) në bar restorant dhe më pas falë përkushtimit dhe besimit të drejtuesve të mi jam sot në pozicion menaxherial.

Ilir çfarë është për ju menaxhimi si profil i një profesionisti? 

Menaxhimi është koordinimi dhe  administrimi i detyrave për të arritur  objektivin kryesor të  kompanisë që ne përfaqësojmë. Për të qenë një menaxher efektiv  në mënyrë të vazhdueshme dhe gjatë gjithë periudhës profesionale është e rëndësishme të zhvillohen një sërë aftësish duke përfshirë planifikimin, komunikimin, organizimin dhe  mbi të gjitha në fushën ku ne operojmë, turizmin, është shumë i rëndësishëm Motivimi i Ekipit. Në eksperiencën time profesionale disa vjeçare ndjek një rregull të thjeshtë por të fuqishëm: Gjithmonë jepini miqve më shumë sesa ata presin të marrin nga vendi ku ne menaxhojmë.

Shumë të rinj synojnë menaxhimin, pa kaluar te shërbimi, cila është rruga që ju ka sjellë juve deri këtu? 

Kjo pyetje më kujton një thënie të filozofit të lashtë grek, Sokrati “Njerëzit e zgjuar mësojnë nga gjithçka dhe të gjithë, njerëzit mesatarë nga përvojat e tyre, njerëzit jo të zgjuar tashmë i kanë të gjitha përgjigjet”. Personalisht vazhdoj të mendoj se rruga më e mirë drejt suksesit është prekja e çdo gjëje individualisht. Eksperienca ime e parë ka qenë shërbimi (kamarier) në bar restorant dhe më pas falë përkushtimit dhe besimit të drejtuesve të mi jam sot në pozicion menaxherial.

Ju menaxhoni një restorant të një kategorie specifike, e lehtëson apo vështirëson kjo punën tuaj?

Mendoj se në Shqipëri, ku nuk ka shumë pasuri subkulturash shoqërore, është ende sfidë të jesh autentik dhe i veçantë, si person në jetën personale ashtu edhe si koncept restoranti në një mjedis më së shumti monokromatik ku fenomeni specifik margjinalizohet, deri ne momentin që arrin suksesin. Kjo stigmë është patjetër një shkallë vështirësie, por që për mënyrën si unë jam gatuar mua më motivon dhe energjizon t’ja dal sëbashku me skuadrën time për të kthyer kokën më pas nga kuota e mbërritur e për të parë dyshuesit të thyejnë paragjykimet e tyre. Pasioni autentik krijon frymëzim dhe ç’është më e rëndësishme, fiton gjithnjë!

Yamato është simbol i kuzhinës aziatike në Shqipëri, çfarë mënyrash zgjidhni për t’u promovuar? 

Yamato ka një reputacion të respektuar si simbol i kuzhinës japoneze, por tashmë me Vila Yamato, kemi sjellë një ishull japonez në mes të kryeqytetit jo vetëm sa i takon gastronomisë fantastike, por edhe diçka prej kultures së magjishme, filozofive shekullore japoneze të mishëruara në shërbim si dhe në dizajnin kuptimplotë të hapësirës. Me modestinë dhe seriozitetin, kompleksitetin e përvojës dhe thjeshtësinë e ofrimit, gjithëpërfshirjes dhe intimitetit në të njëjtën kohë, mendojmë se mënyra më e mirë e promovimit të këtij poli aziatik në qytet është zhytja dhe përjetimi unik i çdo personi që kujdesshëm shkel brenda dhe duke buzëqeshur largohet me një ndjesi të veçantë, si pas një udhëtimi turistik në një vend të huaj mbresëlënës. Ne besojmë tek vërtetësia e përjetimit personal si jehona më e mirë që përcillet tek persona të tjerë, një nga një.

Siç edhe e përmendët, së fundmi ju riktheheni me një mjedis të ri, me një koncept unik, a do të ruani të njëjtën filozofi?

Koncepti është unik, i shtresëzuar me shumë dimensione brenda, dhe dua të përmend shkurtimisht vetëm disa prej tyre. Miqtë tanë të vjetër e të rinj do kenë mundësinë e përjetimit të disa mënyrave të ndryshme të degustimit të kulturës japoneze nëpërmjet ushqimit dhe pijeve, si eksperienca e të parit SushiBar të mirëfilltë në Shqipëri ku ti mund të ulesh në këtë banak përballë shefit aziatik të kuzhinës i cili në heshtje dhe me një kujdes të skajshëm gatuan pjatën e freskët dhe ta servir në kohë reale. Kjo marrëdhënie kaq e afërt dhe direkte me shefin dhe procesin e përgatitjes së këtij ushqimi, krijon një lidhje dhe respekt të veçantë për atë ushqim të perfeksionuar ndër shekuj e shekuj me rradhë.

Miqtë tanë që na vizitojnë do kenë gjithashtu mundësinë edhe të prenotojnë një tavolinë të veçantë për një darkë të çmuar ku shefi i kuzhinës do i dedikohet asaj tavoline për t’i gatuar në mes tyre dhe në kohë reale pjata të ngrohta, ekskluzivisht për atë darkë unike. Tradicionalisht kjo mënyrë shërbimi quhet Teppanyaki (tepanjaki), duke iu referuar vatrës së gatimit që përdoret. Një hapësirë tjetër shumë e veçantë që ofron një eksperiencë realisht unike, është dhoma Privé ku miqtë mund të degustojnë ushqimin në mënyrën thelbësisht japoneze, duke qëndruar dhe shijuar si geishat apo samurait legjendarë japonezë ndër shekuj. Në këtë sallë ora ndalon, ti katapultohesh mendërisht në atë pjesë unike të botës, dhe darka apo ceremonia tradicionale e çajit aty merr trajtë gati metafizike dhe shumë autentike. Dizajni është një tjetër element plotësisht unik në lloj dhe qasje në filozofi dizajni. Rrënjosur në trungun e mendimit japonez Wabi-Sabi, si një meditim tre-dimensional, qasja e rikthimit tek e verteta e pa-kompleksuar si dhe bukuria jo-konvencionale që gjendet tek moshimi i hijshëm i materialit dhe historia që ai tregon në mënyrë autentike. Vera ndodhet tek evidentimi i historisë së përbrendësuar tek objekti, në brishtësinë dhe papërhershmërinë e tij. Në zemër të kësaj qasje qëndron thjeshtësia dhe shprehja e së hijshmes nëpërmjet modestisë fisnike. Objekti i vjetër autentik eshte zhveshur nga gjithë shtresat e tepërta të shtuara njëra pas tjetrës me kalimin e viteve, duke e rikthyer në strukturën autentike e të pa-kompleksuar që mburret me historinë e saj. Hapësira dhe kopshti rreth tij, qarkohen nga një “vello” mbështjellëse që vjen si metaforë e erashkës simbolike japoneze, duke krijuar brendësinë dhe intimitetin e nevojshëm për përjetimin e hapësires në mënyrën japoneze. Materialet, teksturat, raportet, kontrastet, gjelbërimi dhe drita, të gjitha orkestrohen me një fije të padukshme mendimi që bën gjithe strukturen të luajë si një e tërë notat harmonike të atmosferes unike të Vila Yamato.

Ju jeni 24/7 i impenjuar në punë, cila është jeta personale, po pasionet e një manaxheri?

Balancimi i kërkesave të punës dhe jetës personale mendoj se aktualisht është  ndryshe në krahasim me dekadat e kaluara. Midis harmonisë në punë dhe jetës personale nuk është e rëndësishme sesi i ndan orët në ditë por në energjinë  që sjellim  tek të dyja. E konsideroj veten të bekuar, kam një familje të plotësuar me dy fëmijë të mrekullueshëm me gjithë jetën impenjative profesionale. Futbolli ka qenë dhe mbetet pasioni kryesor.

Cili ka qenë  mentori në jetën tuaj dhe çfarë këshille i jepni të rinjve? 

Gjatë periudhës sime profesionale kam patur fatin të kem shumë mentorë në jetën time. Besoj se asnjë mentor nuk mund të jetë i mjaftueshëm për të na drejtuar në të gjitha gjërat që mund të hasim  në karrierë dhe jetë. Si i tillë, unë kisha mentorë të shkëlqyeshëm në punë dhe në jetë për aspekte të ndryshme të sfidave që jam përballur.

Përsa i përket këshillës ndaj të rinjve kam vetëm një thënie: Ka heronj dhe ka legjenda. Heronjtë kujtohen, por legjendat nuk vdesin kurrë. Ndiq zemrën tënde, dhe nuk do të gabosh kurrë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF