
Inva Mula ka folur për herë të parë për situatën me TKOB-në. Sporanoja e madhe i dha këtë përgjigje pyetjes se përse mungoi në mbrëmjen gala. “Meqë pyetja ishte e drejpërdrejtë, përse nuk mora pjesë, ishte për arsye se artistët mbi të gjitha kanë një sensibilitet, i cili kalon edhe kufijtë e kurajos për të marrë pjesë, nëse edhe ftesa nuk ishte bërë ashtu siç duhet. Për gjëra të rëndësishme nuk duhet të heshtim asnjëherë. Unë në përgjithësi, komentet që bëhen në rrjetet sociale i anashkaloj, janë shumë gjëra që ose nxirren nga konteksti, ose nuk janë të vërteta, jam mësuar ti anashkaloj me heshtje se them, heshtja është përgjigjja më e mirë. Por jeta na ka mësuar, dhe mua personalisht, që për gjëra të rëndësishme, nuk duhet të heshtim. Nuk jam ftuar qe nga viti 2019. Këto ftesa kanë qenë për gala të cilat ranë, asnjëra nga këto gala nuk u bë dhe për datën 15 shtator të cilën të gjithë tashmë e dinë që u bë një gala e vërtetë, për këtë datë Inva nuk ka ftesë. Më vjen keq që kanë dalë, se po bëhet si gjyq. Jam ftuar në publik po. Më ka ardhur ftesë nga sekretarja e drejtorisë, për të qenë në publik. Më ftuan si spektatore. Edhe nga Ministria e Kulturës, si spektatore, por nuk kam pranuar. Nuk mund të jem spektatore. Inva nuk mund të jetë spektatore. Unë mund të isha edhe 99 vjeç, prapë nuk do isha spektatore në një ngjarje të tillë. Se nuk ishte vetëm hapja e rinovimit të teatrit, por përkonte me një përvjetor të teatrit. Ky teatër ka një histori. Ky teatër ka një memorie e cila rëndon mbi supet e shumë artistëve. Po një peshë, një gur i rëndësishëm në këtë memorie është familja Mula aty brenda. Nuk bëhet fjalë për Invën. Bëhet fjalë për Nina dhe Avni Mulën. Nuk e di, por paskam bërë shumë mirë që s`kam qenë dhe si spektatore, pasi aty nuk është folur për prindërit e mi,” ka thënë ajo. “Atë mospjesëmarrjen time si protagoniste në skenë do t’ua fal të gjithëve. S`ka gjë se unë kam akoma vite për ta rikuperuar, por që mos të flitet për Nina dhe Avni Mulën, këtë nuk e fal dot. Nuk e fal dot. Nuk është çështje falje, por e them me plot gojën që kjo më ka trishtuar shumë”, shtoi Inva.



















