Rrugëtimi për të nuk ka qenë aspak i lehtë, por Ajsin asnjë ‘furtunë’ nuk do ta bënte të hiqte dorë nga aktrimi. Qysh fëmijë është rritur e transformuar para syve të publikut, dhe ndryshe nga aktorët e tjerë fëmijë, pjesa më e madhe e të cilëve me rritjen kanë hequr dorë nga shfaqjet teatrale apo kinematografike, Ajsi Xhaxhaj është gjithmonë e gatshme për të veshur dhe për t’i dhënë frymë një personazhi të ri.
“Një Jetë me ty” ju solli sërish në ekran si aktore protagoniste. Si ishte kjo eksperiencë e të qenit në rolin e gruas ‘gërnjare’ (në sytë e bashkëshortit tuaj)?
Kjo është vetëm mënyra se si më sheh bashkëshorti im në film. Por mënyra se si vetë gruaja e sheh veten është si një grua shumë emotive. Ende nuk jam bërë gruaja e dikujt, ndaj ta provosh për dy javë intensive xhirime të jesh grua e martuar, e më pas sërish single, kush nuk do ta dëshironte diçka të tillë?
Çfarë keni ju të përbashkëta me rolin që kishit në këtë komedi?
Të them të drejtën, unë e gjej veten shumë në mënyrën se si më sheh im shoq në film, pra dhe në realitet jam nga ato partnere që ankohen, duan vëmendje, xhelozojnë dhe padyshim kunjat dhe shpotitë do i kem në majë të gjuhës.
Keni filluar të aktroni kur ishit vetëm 8 vjeç. Si ndodhi kjo?
Kam filluar të marr kurse aktrimi që 8 vjeç. Prindërit e mi menduan të më fokusonin në atë gjë që isha e prirur për të qenë më e mira. Jam rritur duke shkuar në teatër me dy prindërit e mi e duke parë kaseta humoristike në shtëpi. Që tre vjeç hipja në tavolinë e imagjinoja sikur përballë meje ishte një publik i gjerë që më shihte. Kështu pra ndodhi, çdo gjë rrjedhshmërisht.
Si e ndryshoi jetën tuaj aktrimi?
Zgjedhja e kësaj rruge padyshim që e ka ndryshuar jetën time në shumë aspekte, por gjithmonë jam munduar t’i marr esencën e mirë. Tek e fundit, kur e do diçka shumë, të këqiat shumëzohen me zero.
Të paktën në vendin tonë nuk kemi parë shpesh që aktorët fëmijë të vijojnë të zhvillojnë karrierën e tyre edhe pasi rriten apo edhe moshohen. Shumë prej tyre e lënë karrierën. Por nuk ndodhi me ju.
Ndoshta sepse duke u rritur e kuptojnë që nuk i përkasin asaj që kanë bërë deri më tani. Me mua nuk ndodhi sepse unë e dua dhe kam sakrifikuar shumë për ta lënë në gjysmë këtë rrugë. Vërtet që si profesion kam zgjedhur të jem një specialiste marketingu, por jam gjithnjë e hapur për oferta artistike që kanë të bëjnë me aktrimin. Nëse do jetë në dorën time nuk mendoj se do të heq ndonjëherë dorë nga aktrimi.
Çfarë e bën Ajsin një aktore të mirë?
Nuk di ta them këtë. Mesa kam dëgjuar kam potencial aktorial që më rrjedh natyrshëm. Të them të drejtën punoj shumë kur marr përsipër një rol dhe gjithmonë jam e hapur ndaj kritikave që më drejton një regjisor. Jam një dëgjuese shumë e mire dhe kam reagim që më vjen organikisht.
Cilin mendoni se është modeli juaj i aktrimit, karrierën e të cilit do të dëshironit të imitoni dhe pse?
Modeli im i aktrimit do të jetë gjithmonë Marlon Brando, ai aktronte dhe kur merrte frymë, të mos flasim pastaj për improvizimet. Sa për pjesën e karrierës admiroj karrierën e Natalie Portman. Do dëshiroja një karrierë si të sajën pasi dhe ajo e ka nisur shumë e vogël aktrimin. Por në fund të ditës jetojmë në Shqipëri ku askush nuk ka oportunitete të barabarta, ne krijojmë karrierë me atë çka na ofrohet.
Çfarë teknikash përdorni për të krijuar një personazh të besueshëm?
Studioj personazhin, nuk e di nëse do e besonit por në një letër formati shkruaj për të, për gjërat që mund t’i pëlqejnë apo ato që nuk i pëlqejnë. Pasi e zbërthej si personazh vendos ta vesh e të mos jem më Ajsi. Pasqyra e dhomës sime të gjumit ka parë shumë personazhe teksa unë i praktikoj.
Cilin personazh (që ti ke luajtur një film) do të ishte më emocionues për t’u takuar në jetën reale?
Dikur kam luajtur në skenë Cyrano De Bergerac. Nga një vajzë u ktheva në djalë që bënte duele me shpatë duke rimuar vargje. Do të ishte emocionuese ta takoja në jetën reale e t’i dëgjoja ndonjë varg.
Ndryshe nga pjesa më e madhe e vajzave të showbiz-it keni zgjedhur të ruani një profil të ulët në publik. Pse kjo zgjedhje?
Kjo është e vërtetë, profilin tim e mbaj privat dhe mundohem të mos pranoj adresa fake sepse e di që pas tyre fshihet ndonjë kureshtar apo kureshtare që do përpiqet të më prishë ditën. Jo se më bën keq, por përpiqem të mbaj larg meje energjinë negative. Veçmas kësaj nuk kam qenë shumë aktive pasi çdo gjë kërkon impenjim.
Çfarë marrëdhënie keni ju me famën?
Përpiqem t’i kem marrëdhëniet mirë. Nuk jam nga ato që e dua me patjetër vëmendjen e publikut. E kam shumë problem të intervistohem pa promovuar diçka, ndaj dhe shpesh i kam shmangur daljet publike pa patur një arsye.
Botuar në BORDO Prill 2022



















