Është të qeshësh e të qash me gjithçka ndodh mes një çifti të martuar, që ndër vitet e gjata të bashkëjetesës mestyre kanë marrë 1001 forma e përjetime nga më esktremet, aq sa s’dijnë më se çfarë janë e çfarë duan.
Ai është një burrë që nis të mpaket e të transformohet nga frikërat që po i sjell plakja. Ka vite që ka harruar të jetojë jashtë mureve të shtëpisë, që është ndrydhur në egoizmin e tij, ku me kalimin e kohës nuk ka pasur më vend as për gruan e tij, të bukurën Florë. Ajo është shndërruar në sytë e tij si një objekt më shumë në shtëpi.
Është i sigurt që do ta ketë gjithmonë aty, ndaj s’bën më as më të voglën përpjekje për ta mbajtur. Derisa ajo nis të lodhet, të revoltohet, të reagojë… Derisa vjen ai momenti kur krizat e përditshme, ato të voglat e vazhdueshme sizukatja bezidsëse e një blete, shkaktojnë përmbysjen e madhe….
Bëhet fjalë për “Dhimbje e lehtë” tragjikomedinë që ka nisur të shfaqet që prej së enjtes së kaluar në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, me aktorët Eni Jani e Genci Fuga, për të vijuar edhe këtë fundjavë, në datat 5-6-7 dhe 8 Maj, ora 19.00.
Nën petkun e Eduardit dhe Florës, Eni dhe Genci do të sjellin sërish dramën psikologjike të këtij çifti, ëndrrat, dëshirat dhe kujtimet e të cilëve marrin 1001 trajta, prej pasigurive dhe frikërave që burrit i ndillen nga të panjohurat e jetës dhe plakja. Gjendjet e tyre emocionale do të pësojnë ulje-ngritje të fuqishme. Situatat do të përmbysen e transformohen deri në minutën e fundit të kësaj tragjikomedie.
Sipas regjisorit Valdrin Hasani kjo tragjikomedi e shkruar nga shkrimtari i njohur anglez Harold Pinter, krahas dhimbjes së lehtë sjell dhe të qeshura ama të zhyt dhe në mendime: si të mos e humbasim atë që kemi fituar ndër vite. Çifti që sjell Pinteri mund të jetë kudo e kurdo. Te dialogjet, monogjet e tyre mund ta gjejë veten çdokush. Të gjithë frigohen nga plakja, tjetërsohen e shpërfytyrohen në forma nga më të ndryshmet prej pasigurive e ndodh që përplasen te të tjerët, duke cenuar jetën dhe ndjenjat e më të dobtit, deri në ekzagjerim. Ndaj problemet mes Eduardit dhe Florës janë shumë aktuale edhe për shoqërinë shqiptare. “Më është dashur shumë pritje e punë për ta realizuar këtë projekt, që po e bëj të mundur falë mbështetjet së Bashkisë së Tiranës dhe bashkëpunimit shumë të mirë me Teatrin Eksperimental. Që kur e kam lexuar këtë vepër kam dashur shumë që ta sillja në skenë, ndaj nëse s’do t’ja arrija, sigurisht që dhimbja s’do të ishte aq e lehtë. Por ja që bashkë me Eni Janin e Genci Fugën po ja dalim dhe sinqerisht jam shumë i kënaqur me punën e angazhimin e tyre, me frymën e gjithë ekipit, ku bën pjesë dhe aktori Brendi Bega e skenografi Beqo Nanaj”, u shpreh Hasani.
Biletat mund të rezervohen me një telefonatë në 069 57 177 46 ose te recepsioni i teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli”



















