Është koha për të shkuar tek okulisti
Sytë e shëndetshëm dhe shikimi i mirë janë esenciale për zhvillimin e fëmijës. Fëmijët duhet të ekzaminohen rregullisht sepse shumë probleme të shikimit mund të diagnostikohen dhe kurohen herët.
Është e vështirë të dihet nëse dhe kur fëmija juaj ka nevojë për të bërë një kontroll për sytë. Por shumica e ekspertëve mendojnë se këto kontrolle fillojnë që tek i porsalinduri dhe duhet të vazhdojnë gjatë gjithë fëmijërisë. Për shumë fëmijë një vlerësim nga një pediatër mund të jetë i mjaftueshem. Por në qoftë se fëmija ka një histori familjare me probleme shikimi apo nëse shfaq shenja që prindin e bëjnë të dyshojë për probleme të tilla, duhet të drejtohet tek specialisti (okulisti). Edhe në qoftë se nuk ka faktorë të rrezikut ose histori familjare të problemeve të shikimit, kur fëmija mbush 3 vjeç është mirë që të bëhet një kontroll tek okulisti. Mbi bazën e rezultatit të këtij kontrolli vendoset se sa shpesh duhet të vijë përsëri për kontroll. Në rast se konstatohet se nuk ka ndonjë problem, mund të vijë një herë në vit. Në rast se konstatohet që fëmija ka probleme dhe vendos syze, atëherë në varësi të problemit duhet të bëjë çdo tre ose gjashtë muaj kontroll. Pra, fëmijët që mbajnë syze optike (që jane diagnostikuar me anomali refraksioni) duhet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme (të paktën një herë në vit).
Shenjat që mund të na bëjnë të dyshojmë se fëmija ka probleme me shikimin janë: skuqje dhe fërkim i vazhdueshëm i syve, sensitivitet i lartë ndaj dritës, mungesë përqendrimi, vështirësi në ndjekjen e objekteve, lotim i vazhdueshëm, pupila (bebja e syrit) e bardhë. Në moshën shkollore mund të vërejmë: pamundësi për të parë objekte larg, vështirësi në shikimin e tabelës, vështirësi në lexim (humbet përqendrimin shumë shpejt), qëndron shumë afër TV-së, picërron sytë, mban kokën në njërën anë, ankon për dhimbje koke të vazhdueshme.
Disa nga problemet më të shpeshta që evidentohen në këto mosha janë: amblyopia (syri dembel), strabismus (shtrembërimi i syve), probleme të refraksionit (myopi, hypermetropi, astigmatism) si dhe probleme më serioze siç janë: retinoblastoma, cataracta infantile, glaucoma congenitale, probleme gjenetike dhe metabolike të syrit, etj. Shumica e këtyre problemeve kërkojnë një trajtim në kohë dhe në qoftë se kjo nuk ndodh, do të jetë e vështirë që ato të trajtohen më vonë.
Femijët e çdo moshe mund të mbajnë syze optike. Këshillohet që fëmijët t’i zgjedhin vetë skeletet e syzeve. Skeletet plastike janë më të mirët për fëmijët nën 3 vjeç, por nëse fëmijët mbajnë skelete metalike, sigurohuni që të kenë bishta elastike, të cilët janë më rezistent. Lentet organike janë më të përshtatshmet për këto mosha, sidomos për fëmijët që luajnë sporte të ndryshme, sepse ato janë më rezistente se lentet e tjera dhe gjithashtu nuk thyhen në raste goditjesh (rrëzimesh). Gjithashtu rekomandohet që lentet të jenë anti-refleks, për ta mbrojtur fëmijën ndaj rrezatimeve të dëmshme të kompjuterit dhe çdo pajisje tjetër elektronike, të cilat vitet e fundit janë kthyer në një problem mjaft shqetësues për shëndetin dhe rritjen e fëmijës.
Fëmijët, gjithmonë e më shumë po fitojnë varësi nga teknologjia e më shumë nga kompjuteri. Qëndrimi ulur para ekranit të kompjuterit streson syrin e fëmijës, pasi kompjuteri detyron syrin të fokusohet dhe tendoset me tepër se në çdo detyrë tjetër. Ky fakt mund ta vendosë fëmijën në një rrezik më të lartë, krahasuar me të rriturit për zhvillimin e simptomave të sindromës kompjuterike.
Kufizoni numrin e orëve që fëmija kalon para kompjuterit. Ashtu si TV-ja, përdorimi i kompjuterit duhet të jetë në kohën e duhur në përputhje me moshën. Para moshës 10 vjeç nuk rekomandohet që fëmija të qëndrojë para kompjuterit më shumë se 30 minuta në ditë. Pas kësaj moshe koha maksimale e qëndrimit para kompjuterit është 1-2 orë në ditë, duke pasur parasysh që duhet bërë një pushim 10 minuta pas çdo orë qëndrim para kompjuterit (ashtu si dhe për të rriturit).
Një tjetër tematikë për të cilën prindërit duhen informuar, është mbrojtja e fëmijëve ndaj rrezatimit të diellit (UVA dhe UVB). Fëmijët dhe të rinjtë janë veçanërisht të pambrojtur ndaj rrezeve të diellit, sepse lentet e tyre okulare ende nuk janë maturuar dhe nuk kanë aftesinë për të filtruar dritën UV në mënyrë aq efektive sa tek të rriturit, duke shkaktuar dëme në retinë. Fëmija ekspozohet mesatarisht rreth tri herë më shumë se të rriturit ndaj rrezatimit UV, dhe mendohet se rreth 25 për qind e kohës së ekspozimit gjatë jetës së një personi ndaj këtyre rrezatimeve, ndodh para moshës 18 vjeç. Këto janë arsyet pse këshillohet që fëmijët të mbrohen që herët me anë të syzeve të pajisura me filtrat UVA dhe UVB gjatë ekspozimit në diell.
Botuar ne Revista BORDO!













Njihuni me Lago di Braies!

Lukova, perla e Jonit!



Cfarë ndodhi? Rona Nishliu shtrohet në spital!


Merret vendimi për ndryshimet në Instagram!
