Nga antikiteti deri në ditët e sotme, e vetmja fjalë që ka bashkuar gratë e gjithë botës ka qenë kremi me të cilin ato kanë luftuar rrudhat.
Çdo vit, me ardhjen e sezonit të parakalimit të yjeve në tapetin e kuq, na bashkangjiten pyetje të llojit: ç’pakt ka bërë Cate Blanchett me djallin?! Kjo, falë pamjes së saj që duket sikur rinohet, dhe jo e kundërta. Vallë nuk e keni vënë re që mollëzat vetëm i shndërrisin, ndërsa poret e lëkurës kanë arritur nivelin e padukshmërisë? Në këtë pikë, siç mund ta kuptoni, nuk kemi si flasim për rrudhat, të cilat nuk mund të gjenden në fytyrën e yllit australian të Hollywood-it. Duke marrë parasysh rezultate të atilla, nuk ia vlen të përmendim çmime kur vjen puna tek kremërat anti-rrudhë, për aq kohë sa bëjnë mrekulli, dhe jo në kuptimin letrar. Blanchett, që njëkohësisht është imazhi përfaqësues i një kompanie të tillë, është vetëm një nga emrat që kanë vërtetuar se femrat me pushtet dinë si të mposhtin plakjen, për të sjellë në qendër të vëmendjes rininë e përjetshme.
E nëse mendoni se kërkesa për kujdesin ndaj lëkurës dhe rinisë së përjetshme ka ardhur si pasojë e kohëve moderne, gaboheni. Rinia është konsideruar ndër shekuj si mishërimi i bukurisë. Historiku i metodave për ruajtjen e freskisë rinore i ka rrënjët që në Egjiptin e lashtë, ku gjejnë përdorim të shumtë erëzat, trajtimet me minerale dhe gjethe nga më të shumëllojshmet. Alkimistët kërkuan për shekuj me rradhë ‘Eliksirin e Jetës’ – përbërës mitik që do t’iu siguronte rininë e përjetshme. Duke ardhur në ditët e sotme, kohë kur kërkimet shkencore bazohen në fakte e vërtetësi, shkencëtarët e kanë të qartë se procesi i plakjes është i koduar gjenetikisht në ADN-në tonë. Megjithatë, përpjekje e metoda nga më të ndryshmet po përdoren sot, për të arritur rininë edhe në moshë madhore.
Nëse në mesjetë ishte krejt normale të mbështillje fytyrën me mish të gjallë për të tilla rezultate, sot përballemi me metoda shumë herë më lehtësuese, mbështetur kryesisht tek teknologjia e avancuar. Dhjetë vite para mbërritjes së mijëvjeçarit të dytë, metoda me lazer erdhi si zgjidhja më moderne për eleminimin e akneve, qelizave të vdekura dhe rrudhave të lëkurës. Nga ana tjetër, për shumë pak kohë, Administrata Federale e Barnave në Amerikë aprovoi bindshëm përdorimin e Botoksit, që në vetvete zgjat shumë herë më gjatë se sa përgatitjet e realizuara në shtëpi. Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar aspak amerikanët të rendin pas blerjeve të kremërave kundër plakjes. Dhe nëse keni ende kuriozitet, vetë amerikanët shpenzojnë plot 80 miliard dollarë çdo vit, pikërisht për të tilla produkte! Gjithsesi, duhet theksuar se kushtojnë më lirë se sa vaskat e mbushura me qumësht apo verë të bardhë, metoda të cilat janë përdorur sa në antikitet, aq edhe në mesjetë. Për të gjithë kureshtarët, historiku i mëposhtëm dëshmon evolimin e metodave mbi përkujdesjen ndaj lëkurës, që nga Kleopatra, e deri në shpikjen më të fundit të 2016-tës!
Kleopatra
Njohur për natyrën e saj unike, nuk mund të ishte ndryshe edhe në këtë aspekt. Thuhet se Cleopatra bënte një banjë me qumësht kërriçi çdo ditë, metodë që kërkonte plot 700 kërriça për t’u realizuar. Acidet hidrokside alfa në përmbajtjen e qumështit, ndikonin në pasurimin me agjentë anti-rrudhë dhe të tjerë që lidhen drejtpërdrejtë me butësinë e lëkurës. Për një version modern të një ‘super-fuqie’ të tillë, rekomandohet Elucx Rose Milk Bath Soak, i përbërë nga pluhuri i qumështit të dhisë dhe kripa e Detit të Vdekur.
Empress Wu Zetian
Udhëheqësja e dinastisë Tang dhe njëkohësisht perandorja e Kinës, u diskutua për një kohë të gjatë lidhur me formulën e kujdesit mbi lëkurën. Wu Zetain përziente të famshmen ‘pudër zanash’ (lloj erëze, që bën pjesë në familjen e mentes), me ujë të ftohtë, në mënyrë që të lante çdo mëngjes fytyrën me të. Me siguri ka funksionuar, për aq kohë sa kjo udhëheqëse ishte e famshme për bukurinë e pazakontë edhe në moshë të thyer. Sot, edhe pse jo me përbërje të erzës së lartpërmendur, Wei’s Chinese Licorice Anti-aging Color Correction CC Cream ndihmon lëkurën të ruajë freskinë e saj, falë përpunimit të erzave të ndryshme, të cilat Kina i ka përdorur me mijëra vjet vetëm për këtë lloj estetike.
Elisabeth Báthory
Kontesha e shekullit të 16-të, është ndër të tjera e famshme si femra e parë e dokumentuar për vrasëse seriale. Një pjesë e konsiderueshme e jetës së saj është e zhytur në mister dhe legjenda, një prej së cilave konsiston pikërisht në faktin se preferonte të lahej në vaskën e mbushur me gjakun e viktimave – të rejat fshatare e të virgjëra i dërgonin të punonin për konteshën gjak-pirëse e me bukuri marramendëse. Një model i përngjashëm, por jo vrastar, është Peter Thomas Roth’s 21st Birthday Kit, një set pesë-pjesësh që bashkëpunon me Dragon’s Blood Complex, pemë e kuqe e gjendur në Arizona, e cila prodhon më së shumti kolagjen.
Mary, Mbretëresha e Skocisë
Mary, Mbretëresha skoceze, njëkohësisht kundërshtarja më simpatike e Elisabetës së parë, i kaloi ditët e saj më të lumtura në Edinburgh-un e shekullit të 16-të, lokalizuar në Skoci. Regjimi i saj i bukurisë flitet të konsistonte në vaskat e mbushura me verë të bardhë, të cilat i sollën edhe komplikacione në tërësi, si pasojë e përmbajtjes së lartë të alkolit. Një version më i vonshëm dhe më pak i shtrenjtë i një kure të tillë, është pikërisht Caudalie’s Beauty Elixir.
Perandoresha Elisabeth (Sisi) e Austrisë
Ishte një ndër figurat më të jashtëzakonshme femërore europiane të shekullit të 19-të. Rutina e saj e bukurisë ishte sa e rreptë, aq dhe fiksuese, e këtu mund të përmendim korsetë e lidhura fort rreth belit, për ta mbajtur këtë të fundit më pak se nëntëmbëdhjetë inç të gjerë përgjatë gjithë jetës. Crème Céleste, një ndër të produktet kozmetike të preferuara të Sisit, nuk ishte gjë tjetër veçse përzierja e spermacetit (dyll i gjetur në kokën e spermatozoidit të balenës), vajit të ëmbël të bajameve dhe ujit të trëndafilit. Sisi e aplikonte çdo ditë, ndërsa ju mund të përdorni një version më komfort, siç është edhe Weleda Almond Soothing Facial Cream. Ndërsa përgjatë natës, preferonte ta mbështillte fytyrën me mish viçi të gjallë, së bashku me luleshtrydhe të shtypura, të cilat i mbante të ngjitura në lëkurë nëpërmjet një maske të punuar me lëkurë…pak a shumë e kundërta e Mega Greens Galaxy Pack.
Margaret Kroesen
Viti 1889, shënoi një modernizim mbi metodat e përdorura për kujdesin ndaj lëkurës. Pikërisht në këtë periudhë, Margaret Kroesen vuri re disa rrudha shumë pak të dukshme në ballin e së bijës. Me dëshirën për t’i dhuruar vajzës së saj një pamje rinore sa më jetëgjatë, Kroesen ishte e para që përdori metodën e Frownies, pulla ngjitëse që vendosen në lëkurë për ta mbajtur atë sa më të tendosur.
Amerika hedh një hap të madh lidhur me kozmetikën
Me ardhjen e 1927-ës, Amerika solli një risi, të cilën e prisnin të gjithë me padurim: kremi i parë me hormone, doli në treg për çdokënd!
Le Secret de Blanche Delysia
Ishte ky produkti i parë me albuminë për sheshimin e rrudhave, të cilin Franca ia shiti SHBA-ve rreth vitit 1952. Albiumi është një proteinë e tretshme në ujë, e ekstraktuar nga gjaku i bagëtisë. Megjithatë, studimet kanë treguar se efekti i tendosjes së lëkurës nuk zgjat shumë.
Përsëri ndryshime në 1995-ën
FDA aprovon acidin tretinoik, përbërësi kryesor në Retin-A, me funksion trajtimin e rrudhave. Edhe pse shumë efektiv, inflamacioni, rrjepja e lëkurës dhe skuqja ishin efekte anësore krejtësisht të pashmangshme.
Prezantimi me Botoksin
Ardhja e 2002-shit prezanton trajtimin me Botoks, për eleminimin e rrudhave të thella përqark gojës.
Rëndësia e kremit kundër diellit
FDA bëri kërkesë në 2011-tën mbi përdorimin e kremërave kundër diellit, veçanërisht atyrë me faktor mbrojtës 15 e sipër, për të reduktuar në maksimum rrezikun ndaj kancerit të lëkurës dhe plakjen e parakohshme.
Fenomeni Perricone MD
Perricone MD lançon OVM, kremi i parë me përmbajtje të membranës së lëvozhgës së vezës, lidhur me një dozë të ulët të vitaminës A, me funksion rritjen e prodhimit të kolagjenit, si dhe ruajtjen e lëkurës nga inflamacioni. “Membrana e vezës është krijuar nga natyra për ushqyerjen e embrionit”, shpjegon doktor Perricone, “Faktorët zhvillues dhe lëndët ushqyese veprojnë si qetësues kundër inflamacionit, për të dhënë rezultate të shkëlqyera, pa efekte anësore”.












Njihuni me Lago di Braies!

Lukova, perla e Jonit!



Cfarë ndodhi? Rona Nishliu shtrohet në spital!


Merret vendimi për ndryshimet në Instagram!

