KreuArt

Intervistë ekskluzive/ Duartrokitje për Besmir Bitrakun!

Nga Olsi Kolami

Sezoni që u mbyll ishte një sukses i padiskutueshëm për aktorin Besmir Bitraku. Në tre shfaqje të Teatrit Kombëtar, ai u duartrokit për rolet e tij, ndërsa së fundmi, në rolin e regjisorit të “Përvjetori i Ditëlindjes”, ai do të befasonte të gjithë jo vetëm me zgjedhjen e pjesës tatrale, por edhe konceptin regjisorial. Teksa po kalon pushimet verore, këtë herë si asnjëherë tjetër, me statusin e babait të ri, ai ka vendosur të flasë për Bordo rreth eksperiencës së parë si regjisor, por edhe emocionet e mbajtjes në krahë të djalit Marko, i cili u pagëzua me emrin e të atit.

Besmir, sapo mbyllët një sezon artistik plot shfaqje, si do ta përkufizonit?

Ky ishte një vit i mbarë, Teatri Kombëtar ka realizuar 4 premiera super të suksesshme në të cilat une mora pjesë në tre, tek e fundit si regjisor dhe jam shumë i lumtur për këtë sezon fantastik, shpresoj të vazhdojmë me këto ritme.

“Përvjetori i ditëlindjes” ishte një sfidë për ju, hera e parë si regjisor, si u ndjetë, a jeni penduar që nuk kishit një rol?

“Përvjetori i ditëlindjes” ishte realisht një sfidë e madhe për mua dhe për të gjithë ata që morën pjesë pasi tema prek një plagë të shoqërisë që duhet bërtitur me të madhe në mënyrën më të mirë dhe nuk është kafshatë që kapërdihet kollaj në fakt. Karakteret e kësaj shfaqjeje janë shumë sfidues dhe të them të drejtën sikur ta kishte vënë dikush tjetër do të kisha pranuar të luaja çdo rol që do të më ofrohej.

“Përvjetori” përballë “Festës” në aspektin regjisorial, ka ndonjë përpunim, si e keni konceptuar një produksion filmik të sjellë në teatër?

Shfaqja është konceptuar si realitet brenda 4 mureve magjike të teatrit ku edhe publiku është pjesë e shfaqjes si i ftuar në ditëlindje dhe bashkëvepron me aktorët, e po ashtu përjeton emocion njësoj si ta!

Jam shumë kurioz të di: çfarë ju nxiti që të zgjidhni këtë vepër për punën tuaj si regjisor, është kaq komplekse?

Është një temë për të cilën duhet të flitet non stop, të rrihen mendime deri sa të dilet në disa përfundime e dikush të bëjë diçka për ta përmirësuar këtë realitet dhe si gjithmonë hapi i parë drejt shërimit është pranimi…

Cili ishte reagimi i pare i aktorëve, kur u tregove skenarin, është një temë aktuale, e mprehtë, por ama një propozim i guximshëm nga ana juaj?

Kishte nga ata që ishin skeptikë nëse publiku mund ta përtypte dhe të mendonte që bën fjalë dhe për shoqërinë tonë, por artistikisht për të gjithë ishte sfidë dhe emocionuese për t’u përfshirë!

Kasti i aktorëve ishte brilant nga kolegë e miq të brezit, deri tek profesorët tuaj, si e ndërtuat raportin me ta, a hasët ndonjë vështirësi apo ndodhi e kundërta?

Kasti i aktorëve janë të gjithë profesionistë, brezat e ndryshëm, nuk është çudi të punojnë në teatër se pasqyrimi i realitetit duhet të jetë sa më i vërtetë, është gjithmonë kollaj të punosh me profesionistë…

Kristian përballë patriarkut të familjes është paksa i drojtur, përpos dramës që ka kaluar, ka luhatje të forta, por ia arrin të nxjerrë të vërtetën, si e keni ndërtuar këtë rol si regjisor, a ndërhytë apo e latë siç ishte në vepër? 

Nganjëherë ne përpiqemi të bëjmë çudira dhe i shmangemi të “thjeshtës”, por me Kristanin kemi ecur në rrugë të vërtetë, pa e komplikuar me “artin e madh” për të arritur artin e madh, atë të vërtetin ! Dhe jo vetëm për rolin e Kristanit, por me të gjithë kemi synuar të jemi të besueshëm në sytë e publikut që janë shumë afër, me lente të madhe dhe nuk i shpëton dot asgjë!

Edhe pse nga një autor jo shqiptar, dritë-hijet e veprës përçuan mesazhin, e aktualizuan atë, por pse zgjodhët që publiku të ishte pjesë e shfaqjes?

Kjo është temë për gjithë shoqërinë në gjithë botën, ai është autor jo lokal, por që i flet gjithë globit ! Zgjodha që publiku të jetë pjesë e shfaqjes për t’i bërë pjesë sa më të madhe të këtij emocioni, ne të gjithë e gjejmë veten dëshmitarë për padrejtësi të ndryshme, jo të këtij karakteri dhe zgjedhim të mos flasim, pa e kuptuar sa dëm bëjmë me heshtjen tonë! Kjo është një vepër që nxit të dhunuarit të bëjnë një hap përpara dhe gjithashtu ata që kanë në dorë të bëjnë diçka të mos qëndrojnë indiferentë.

Më pëlqen skenografia, ngjan si nata e fundit e Krishtit, ku vendosen të thuhen shumë të vërteta, një kontrast i fortë skenik, ishte zgjedhja juaj?

Po skena ishte zgjedhja ime, ka një asosacion me Darkën e Fundit vizualisht, po mbase ka ardhur nga subkoshienca ime se nuk e kam pasur për qëllim.

Sapo keni filluar pushimet e Verës, ku po i kaloni ato?

Pushimet po i kaloj në Shqipëri, edhe pse çdo vit them do iki jashtë sepse zhgënjehem, por prapë vitin tjetër është njësoj.

A ndiheni gati për sezonin e ardhshëm, cilat janë projektet e Vjeshtës?

Po, ndihem në top formë, kam disa projekte po nuk di a duhet të flas akoma, shpresoj shumë që shfaqja të vazhdojë rrugëtimin e saj në gjithë qytetet e shqipërisë dhe shpresoj me ndihmën e Unicef Albania do ja arrijmë pasi ata ishin pjesë shumë e rëndësishme dhe e krijimit të kësaj shfaqjeje !

Së fundmi ka ardhur në jetë djali, si ka qenë kjo periudhë mes artit dhe detyrës prindërore, i keni vendosur emrin e babait tuaj, uroj t’i ngjajë gjyshit?

Marko ka ardhur në jetë dhe po bëhet afër 2 muajsh. Për mua këto janë pushimet e para në jetë që nuk janë pushime (qesh), por prapë lodhja nuk ka të krahasuar me lumturinë që të fal! Faleminderit shumë për urimet, shpresoj dhe unë t’i ngjajë gjyshit.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF