KreuBusull

3 pyetjet që duhet të bëni përpara dhe pas marrjes së një vendimi!

Ekziston një frazë e njohur që qarkullon në internet: Jeni vetëm një vendim larg për të bërë një jetë krejtësisht ndryshe.

Nëse synoni që të përparoni në aspektin profesional, kjo shprehje mund të jetë shumë e rëndësishme për ju dhe mund të përbëjë një pikëkthese në karrierën tuaj.

Sepse, nëse dëshironi diçka që nuk e keni pasur kurrë, atëherë duhet të bëni diçka që nuk e keni bërë kurrë.

Përpara se të merrni një vendim bëjini vetes këto 3 pyetje:

1-Cila është ajo gjë që, nëse e bëj sot, do të kishte më shumë ndikim?

Shpesh ne mund të përhumbemi në imagjinata nga më të ndryshmet për të ardhmen tonë, duke menduar për mundësi që duken sikur nuk mbarojnë. Ose, mbase, një vendim që po shqyrtojmë mund të mos jetë mjaftueshëm ngazëllyes sa të na bëjë që ta ndërmarrim atë.

Kur jeni përballë shumë zgjedhjeve, një këshillë e dobishme do të ishte që të pyesni veten se cila është ajo gjë që mund të bëni tani, e cila do të kishte ndikimin më të madh për t’ju sjellë më afër qëllimit tuaj.

Është e rëndësishme të theksohet se ky vendim nuk ka nevojë të jetë një gjest madhështor dhe shumë gjithëpërfshirës (megjithëse, nëse jeni gati për të ndërmarrë një vendim të tillë, aq më mirë për ju).

Në fakt, ndryshimet e mëdha shpesh fillojnë me një hap të vogël në një drejtim të ri. Dhe, kur ky vendim përfshin diçka që mund ta bëni menjëherë, kjo gjë ju jep vrullin që ju nevojitet për të vazhduar.

 

2-A e mbështesin rrethanat vendimin tim?

Rrethanat në të cilat ndodheni, ku përfshihen miqtë tuaj, kolegët, vendndodhja, zakonet dhe stili juaj i jetesës, ndikojnë te ju, për mirë ose për keq, shumë më tepër nga ç’mund të mendoni.

Të gjithë njerëzit me kalimin e kohës rriten dhe ndryshojnë, kështu që gjërat që dikur funksiononin për ju, tani ndoshta mund të mos funksionojnë më. Me pak fjalë, ju nuk mund të bëni një ndryshim domethënës dhe të qëndrueshëm në jetën tuaj, pa ndryshuar disa nga rrethanat ku gjendeni.

Këtu qëndron dhe kleçka: nëse nuk i ndryshoni, atëherë në fakt ju jeni duke i zgjedhur vetë ato.

Ju do të keni më shumë mundësi për sukses nëse rrethanat e mbështesin vendimin tuaj. Pra, nëse një nga rrethanat ku ndodheni ju pengon që të përmbushni atë që duhet të bëni, ndryshojeni atë me diçka ose me dikë që është në përputhje me qëllimet tuaja.

Fuqia për t’u thënë “jo” njerëzve dhe gjërave që nuk ju shërbejnë më, ju jep mundësinë për t’u thënë “po” atyre që ju shërbejnë.

 

3-Si mund ta përmirësoj vendimin tim?

Vendimmarrja nuk përfundon pasi të keni bërë një zgjedhje. Pasi të keni vendosur, keni ende mundësi për të përmirësuar vendimin tuaj, duke bërë rregullime të ndryshme.

Ndoshta rrethanat kanë ndryshuar, ose tregu nuk është më i njëjti. Kështu, të qëndruarit në të njëjtën rrugë nuk ka më kuptim. Ndoshta mund të jetë shfaqur paraqitur një mundësi e re, duke e bërë kështu të nevojshme marrjen e një kthese për të përfituar nga ajo.

Në vend që të refuzoni me kokëfortësi që të devijoni nga vendimi i parë, jini elastik dhe përshtatuni me kushtet aktuale. Nëse vendimi juaj nuk funksionon më, ose nëse mendoni se keni marrë vendimin e gabuar, atëherë mund ta korrigjoni atë duke marrë një vendim të ri.

Vendimi është pika fillestare; përsëritja e këtij vendimi është rrugëtimi i pafund drejt suksesit.

Mos harroni, ju jeni vetëm një vendim larg mundësisë për të bërë një jetë krejtësisht ndryshe. Dhe, duke i bërë vetes këto tre pyetje, do të zgjidhni më me mençuri.

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF