KreuBusull

Intervistë ekskluzive/ Zgjohuni me Enxhin!

Nga Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj
MUAH: Suela Cangu
Kurator imazhi: Miranda Dupi

“Je zëri dhe imazhi që i mungon ekranit shqiptar”; ky ka qenë vetëm një prej komplimenteve që Enxhi Nasufi ka marrë këto ditë, teksa prej 5 shtatorit moderon programin ‘Wake Up’. E hijshme, e ç’kompleksuar, dinamike e sportive, Enxhi Nasufi është vërtet energjia e munguar në ekranet shqiptare…

Si kanë qenë këto ditët e para si moderatore në ‘Wake Up’? I ke kaluar emocionet e fillimit?

Kanë qenë fantastike jo vetëm prej entuziasmit që unë kisha për këtë eksperiencë të re por më së shumti prej energjisë, mesazheve, vlerësimeve dhe dashurisë që kam marrë nga njerëzit dhe komuniteti i ndjekësve të mi. Të dëgjosh dhe lexosh fjali si “E meriton të jesh aty”, “ Do zgjohemi në mëngjes të të shohim”, “ Energjia jote pozitive na frymëzon”, “Ti je zëri dhe imazhi që i mungon ekraneve shqiptare”… të mbushin shpirtin plot. Emocionet nuk zhduken kurrë edhe pse kam shumë vite që jam përballë kamerave. Por një gjë është tepër e sigurt se këto emocione janë motori i çdo gjëje. Nëse s’ke emocion atëherë nuk po bën realisht atë që dashuron.

Ti ke patur eksperienca të tjera në moderim, por jo një impenjim të përditshëm si programi i mëngjesit. Si e prite ftesën për t’ju bashkuar ‘timonierëve’ të Wake Up? Hezitove, apo pranove menjëherë?

Jo që nuk hezitova por pranova menjëherë me bindjen më të plotë. Radio gjithmonë më ka pëlqyer shumë dhe ‘Wake Up’ ka ardhur në momentin më të mire në jetën time. Është totalisht në karakterin tim, dinamike, sportive, argëtuese, ka muzikë dhe mbi të gjitha nuk ka formalitete apo korniza të cilat unë nuk i pëlqej fare. Më pëlqejnë gjërat e pakompleksuara që rrjedhin natyrshëm e të lejojnë të jesh vetvetja. Jam shumë mirënjohëse dhe falenderuese për këtë mundësi.

Në programet televizive secili prej moderatorëve sjell nga vetja atë ingredientin që i kthehet më pas në kostum roli; Cili është roli i Enxhit në treshen tuaj?

E vërteta është që secili prej nesh është i ndryshëm dhe kjo besoj e bën akoma më të bukur dhe interesant ‘Wake Up’. Unë jam fëminore po aq sa dhe e rritur, jam e qeshur po aq sa edhe serioze kur e kërkon momenti. Në të gjithën ketë, ajo çfarë më karakterizon gjithmonë është të qenit vetvetja, e vërtetë, transparente dhe shumë reflektuese kundrejt punës dhe kolegëve të mi. Është zgjedhja ime për të qenë e tillë në jetë , po ashtu edhe përballë kamerave.

Duke qenë se njihesh më së shumti si këngëtare, ke qenë shpesh në rolin e të ftuarës në programe të ndryshme. Cilat janë ndjesitë e të qenit mysafirja dhe e zonja e shtëpisë në një program?

Emocion shumë i bukur në të dyja rastet, por kuptohet që kur je “zonja e shtëpisë” ke më shumë përgjegjësi. Të jesh zonjë shtëpie do të thotë shumë. Duhet të impenjohesh për të dhënë maksimumin tënd në çdo moment dhe më e rëndësishmja të presësh miqtë ashtu siç duhet e si i themi ne shqiptarët t’i bësh “yzmetin” punës. Është e thjeshtë të kesh titullin por e vështirë ta mbash me dinjitet dhe me energjinë e duhur çdo ditë.

Karrierën e nise si këngëtare, por duket se po fokusohesh drejt moderimit. Së shpejti do kemi një Enxhi moderatore më shumë se këngëtare?

Në fakt rrugëtimi im nisi me baletin, më pas me këngën dhe gjatë rrugës u impenjova dhe me aktrimin. Jam rritur në botën e artit dhe televizionit, pra ndoshta nuk është rastësi që së fundmi jam pjesë e ekranit si moderatore. Ka qenë një rrugë e gjatë për të arritur deri këtu, me shumë sakrifica e vështirësi brenda. Përtej kësaj muzika është dhe do të mbetet një nga dashuritë më të mëdha që unë kam.Vitet e

fundit të jetës time kanë qenë tepër sfiduese për mua në shumë aspekte. Jam rritur shumë, kam mësuar shumë dhe mbi të gjitha kam reflektuar mbi atë që unë jam dhe dua të bëj. Kam kuptuar se investimi më i madh që mund të bëj në jetën time është puna me veten dhe përmirësimi çdo ditë. Këtë energji do ta shihni të reflektuar shumë shpejt edhe në muzikë. Dhe me thënë të drejtën mezi po pres.

Në showbiz termat ‘like’ dhe ‘follow’ për shumë prej artistëve janë kthyer në ‘jetike’ për t’i mbijetuar konkurrencës…Por ti ke zgjedhur të krijosh një profil tjetër pa gara të tilla…

Nuk përbëjnë qëllim në vetvete për mua ‘like” dhe “ follow”. Sigurisht janë tregues deri diku i influencës dhe punës, por jo gjithmonë. Rrjetet sociale i shoh si mënyrë shumë të mirë për të shpërndarë vlera dhe mesazhe të forta, i shoh si një mënyrë shumë e mirë për të fituar para pse jo (per ata që zgjedhin t’i shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë të mundshme), por nga ana tjetër i shoh edhe si eksperiment dhe tregues social. Ndodh rëndom në ditët që jetojmë të përbëjnë më shumë lajm dhe arsye për t’u ndjekur vithet sesa një postim bie fjala për një temë sociale që në fund të ditës mund t’i shërbejë gjithkujt. Megjithatë është çështje zgjedhjesh çdo gjë, e fundja kjo është zgjedhja ime tani dhe në vazhdimësi. Unë e dua fort komunitetin qe kam krijuar në instagram. Janë totalisht ajo çfarë dua dhe çfarë kam kërkuar me energjinë time.

Çfarë marrëdhënie ke ti me famën?

Është një fjalë që më kujtohet vetëm kur më pyesin apo kur e shoh të shkruar diku. Qëllimi im s’ka qenë kurrë të jem e famshme. Dashuria për artin dhe televizioni janë brenda meje, i kam në gjak, kam lindur me to. Fama ka ardhur rrjedhimisht nga kjo gjë. Mendoj se me famën duhet të vijë përulësia, mirënjohja, mirësjellja për publikun e çdo njeri që të ndjek, se fundja ata na e plotësojnë të gjithën. Flas këtu për raste suksesi dhe fame të mirëfillta sepse në ditët e sotme po bëhet i famshëm kushdo. Njerëzit për famën po marrin përsipër të hyjnë në profesione që nuk i lidh asgjë.

Megjithatë përsa kohë u jepet akses dhe kohë mediatike mund të bëhen të gjithë këngëtarë, moderatorë etj etj. Nëse ka diçka që fama më ka dhënë është fuqia e zërit tim dhe shpjetësia me të cilën mund të jap mesazhe dhe të depërtoj tek njerëzit. Por në të ardhmen dua të kem influencën dhe pushtetin për të bërë shumë gjëra për të cilat nuk kam mundësi tani. (Një nga ëndrrat e mia më të mëdha është të ndihmoj njerëzit në nevojë dhe të kem një fermë të madhe për t’u kujdesur për kafshët e braktisura).

Jetën personale e mban tejet diskrete. Çfarë statusi ka Enxhi?

Statusi im është: e dashuruar. Nuk më pëlqen të kem ndërhyrje të jashtme energjitike. Mbi të gjitha nuk dua të bëj zhurmë me anë të jetës time private por me punën time, vlerat e mia si njeri së pari dhe më pas si artiste/moderatore. Kam një fuqi shumë të madhe për të dashur brenda vetes dhe mendoj fort se dashuria është forca më e madhe shëruese në këtë jetë dhe në të tjerat.

Nuk përbëjnë qëllim në vetvete për mua ‘like” dhe “ follow”. Sigurisht janë tregues deri diku i influencës dhe punës por jo gjithmonë. Ndodh rëndom në ditët që jetojmë të përbëjnë më shumë lajm dhe arsye për t’u ndjekur vithet sesa një postim bie fjala për një temë sociale që në fund të ditës mund t’i shërbejë gjithkujt. Megjithatë është çështje zgjedhjesh çdo gjë, e fundja kjo është zgjedhja ime tani dhe në vazhdimësi. Unë e dua fort komunitetin qe kam krijuar në instagram. Janë totalisht ajo çfarë dua dhe çfarë kam kërkuar me energjinë time.

Botuar në BORDO, Tetor 2022!

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF