KreuArt

Flokëbore; ja çfarë simbolizon në fundvit por jo vetëm…

Bordo Simbol

Ndjehu flokëbore
Dimri është gjithmonë një periudhë reflektimi, ndaj edhe flokët e borës, janë kaq të pastër sa në shumë kultura, ato vijnë si simboli e pastërtisë, mendimit të dlirë, drita që del nga errësira, fuqia që shfaqet nga dobësia. Edhe pse forma e kristalit të dëborës është thuajse e padukshme, imagjinata njerëzore ka krijuar strukturën e saj, si një simbol që shpreh qartë pastërtinë në nivelin më të lartë. Duke qenë se fizikisht dhe kimikisht floku i borës ka një strukturë të përsosur, në shumë kultura vjen si simbol i perfeksionit më të lartë. Dëbora padyshim mbetet simboli unik i dimrit, ku uji i kondensuar që bie në formë pluhuri gjatë dimrit ka flokët e borës, me formën e tyre prej kristali, si elementin më të bukur, por edhe romantik.

Të shohësh kristalet e dëborës në ëndërr është një shenjë paralajmëruese që kërkon gatishmëri dhe vëmendje në të ardhmen, por mund të jetë edhe një lajm i gëzueshëm. Shpesh ky simbol i vendosur si tatuazh, personifikon aspektin unik, individualitetin, sepse realisht çdo flok bore është krejt ndryshëm nga tjetri, nuk ka kurrë asnjë njësoj. Po ashtu, një tjetër domëthenie e tyre lidhet me aspektin delikat, brishtësinë dhe natyrën kalimtare të jetës.

Në kohët moderne, floku i borës është një simbol i Krishtlindjeve, duke marrë ngjyrme të theksuara fetare. Ka diçka të veçantë në mënyrën se si një flok dëbore zbret nga qielli, duke e bërë atë një simbol të hirit, ndaj edhe identifikohet me shembullin e përsosur të qetësisë, pasi nuk bën zhurmë kur bie nga qielli. Forma e tyre i bën ata një shembull kryesor të bukurisë hyjnore në natyrë.

Flokët e dëborës mund të jenë një simbol i rilindjes. Bora e bën tokën të duket e pastër dhe e freskët. Kjo është arsyeja pse flokët e borës mund të jenë gjithashtu një simbol i pastërtisë. Kur shkrin, ajo shndërrohet në ujë, duke e bërë atë një simbol të përshtatshëm për transformim dhe fillime të reja. Flokët e borës shpesh shfaqen edhe të dizajnuara me ngjyra, zakonisht në nuancat blu dhe vjollcë, ose me bojë të zezë, këto variante vijne nga ndikimet kelte, në kulturën e të cilëve, ky kristal ka një tërheqje magjepsëse e cila simbolizon ciklin e jetës.

Në kulturën aziatike, fjolla e borës është një simbol pozitiviteti, lidhet fort me imazhin e Zotit, paqes hyjnore, mençurisë dhe qetësisë. Sipas një proverbi të lashtë Zen: Një flok bore nuk bie kurrë në vendin e gabuar. Bukuria e flokëve të borës, siluetat e tyre hipnotizuese dhe procesi i tyre misterioz i formimit i janë bërë qendër e legjendave dhe simbol i pastërtisë. Një nga supozimet rreth kristaleve të vogla të borës është se nuk ka dy të ngjashëm – pohim që i ka shtyrë shkencëtarët dhe artistët të kryejnë kërkime të mundimshme, duke i fotografuar dhe krahasuar ato për vite me rradhë. Dhe megjithëse ky besim nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht, ato kanë domethënien e të qenit i papërsëritshëm.

Filozofia Zen e sheh si një simbol të jetës së përsosur, duke ilustruar parimet e filozofive budiste dhe taoiste: se gjithçka është e përsosur në natyrë dhe në jetë, nuk ka asnjë të mirë apo të keqe, të drejtë apo të gabuar, vetëm përsosmëri.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF