KreuArt

7 libra që nuk duhet t’i lini pa lexuar 

Kur ishim të vegjël, prindërit tanë shpesh nuk na pyesnin se çfarë dhuratash donim, pasi pjesë e atyre që nuk ishin surpriza, ishin padyshim librat. Nëse asokohe na dukeshin si tituj paksa të panjohur, ose dhurata që do të donim të ishin zëvendësuar me libra, pasi i kemi lexuar deri në faqen e fundit, e kemi kuptuar se ato janë vërtet aq specialë, sa që çdo fëmijë duhet të ketë lexuar të paktën një prej tyre gjatë periudhës së fëmijërisë. Le të zbulojmë disa tituj që mbeten gjithmonë frymëzues.

Kolana e librave “Harry Potter”, edhe pse nuk bën pjesë tek klasikët, në fakt vijon të mbetet ende një ndër ata që të paktën çdo fëmijë do të kishte dashur të ishte, pra një magjistar në një botë të magjepsur, ku Abrakadabra, nuk është thjesht një fjalë, por zanafilla e të gjitha fanepsjeve që do të kishte dashur çdo vogëlush në jetën e tij të përditshme.

I dyti, por ama më i përzemërti mbetet “Rreth botës në 80 ditë” nga Zhyl Vern. Phileas Fogg vë një bast prej 20 mijë paund me kolegët e tij se mund të udhëtojë përqark globit për vetëm 80 ditë, një histori e mbushur plot të papritura, duke na zbuluar cepa të panjohur të globit, të cilat të kuriozojnë aq shumë, sa të gjithë fëmijët do të kishin dashur të ishin pjesë e këtij udhëtimi.

Rrëfenjat e “Na ishte një herë” të Jakob Grimm dhe Wilhelm Grimm, janë një përmbledhje e historive më të bukura të përrallave për të vegjël, ku padyshim Borëbardha, Bukuroshja e fjetur, Kësulëkuqja, janë vetëm një pjesë e tregimeve plot personazhe, të cilat të mbajnë të mbërthyer para fletëve të librit për orë të tëra.

E meqë jemi tek përrallat, ju sugjerojmë “Përralla të moçme shqiptare”, një përmbledhje me histori shqiptare, ku do të befasoheni nga personazhe të cilat Mitrush Kuteli u ka dhënë jetë breza pas brezi dhe që do të vazhdojnë t’ju japin emocion edhe të vegjëlve të ditëve moderne.

Nëse e keni parë film, ju sigurojmë se “Pinoku”  libër i Karlo Kolodi është akoma më i bukur, sepse do t’ju bëjë të ëndërroni vende dhe personazhe të cilët janë akoma më specialë sesa i keni parë në ekran.

“Princi i vogël” i Antoine De Saint-Exupéry, tregon sesi për shkak të një defekti në motor një pilot detyrohet të ulë avionin në shkretëtirën e Saharasë, ku takohet me një princ të vogël i cili vjen nga një planet tjetër.

Edhe pse shumica mendojnë se është libër për vajza, “Liza në botën e çudirave”  i Luis Karol është një roman për të gjithë fëmijët, i cili tregon sesi një vajzë 14-vjeçare, udhëton në një mbretëri, ku jo të gjitha gjërat shkojnë ashtu si duhet, ndaj shpesh ajo bëhet pjesë e saj duke i kthyer gjërat në vend.

“Aventurat e Tom Sojerit” e shkrimtarit Mark Twain është një roman i mbushur me histori të rralla që do të bëjnë çdo lexues të përfshihet në një botë plot me sekrete, që për një vogëlush mund të jenë vërtet fantastike.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF