Nga Edlina Losha
Instagram: @dreamtravel.world
Secili historinë e bën vetë. Pak rëndësi ka se si dhe çfarë historie ka vendi që shkel. Mundet të jetë vendi më i bukur në botë, por ti ke kaluar në mënyrën më të shëmtuar atje. Mundet të jetë vendi me histori të lashtë, por ti ke krijuar historinë e jetës tënde!
Kësisoj i shoh vendet unë!
Njëherë mikesha ime kishte vizituar Firencen! E mrekulluar, me sytë që më lëshonin xixa e pyes:-“Hë, bukur apo jo? Si t’u duk ai muzë në qiell të hapur?” —“ Si mos më keq,”- tha, dhe aq të zymtë e përshkroi Firencen sa askush nuk e ka dëgjuar një version të tillë deri më sot. Ajo ishte grindur keqas me të dashurin në një Firence të bërë gri nga retë e zeza të ndarjes.
Që atëherë përpiqem t’ia kaloj sa më bukur në vendet që vizitoj dhe mbi të dhënat që lexoj në mediat për informacionet e tyre, shtoj dhe përjetimet e mia personale.
E tillë është historia ime amerikane. Të shumtë janë ata që synojnë Amerikën, që zgjedhin të punojnë, të studiojnë, të martohen apo të jetojnë përgjithmonë atje. Edhe unë kam një ëndërr amerikane! Ëndrra ime është që të shkel me makinë të gjitha shtetet e Usa dhe mundësisht të qëndroj për pak kohë në secilin shtet. Prandaj kam ndërrmarë udhetime të gjata dhe të mirëmenduara sepse jo vetëm që është kontinent tjetër, por edhe vend shumë i madh dhe surprizat në çdo aspekt janë shumë të mëdha.
Unë numëroj disa syresh, psh nga New York-Los Angeles, San Francisco- Fairbanks, por kësaj radhe dua të flas për një nder udhëtimet më interesante që kam bërë në Usa, atë që filloi në Miami e mbaroi në Honolulu. E quajta rruga e “Verës së artë “. I gjithë udhëtimi u bë në pranverë, zgjati rreth një muaj, por meqë u përshkrua jugu i Usa, normalisht që u kënaqa me klimën e butë si mëndafsh. Aventurat? Ishin të pafundme! Lodhja?
Nganjëherë rruga dukej sikur nuk mbaronte, aq e gjatë ishte! Të përshkosh Amerikën me makinë? Aty e kupton se sa e madhe është ajo! Njerëzit? Të jashtëzakonshëm! Të llojeve e racave nga më të ndryshme! Por kudo aprovues e mendjehapur! Në Amerikë merr komplimente pa fund për veshjen, lookun, stilin; ama nëse gabimisht apo duke mbyllur njërin sy hyje në dyqane apo lokale me flamure-ngjyra-ylberi, s’ishte çudi që gjithë elokuencë meshkujt bukuroshë e sqimatarë të të ngacmonin burrin, por kjo më dukej edhe shumë argëtuese ama!
Kuriozitet? Muri i Trump në kufirin me Meksikën! Nga ky kuriozitet shkova e iu afrova deri sa mund ta prekja edhe me dorë “murin “! Apo kalimi i kufirit në El Paso. Të ikje nga El Paso në Juarez (Meksikë), s’të thoshte gjë njeri. Ama të ktheheshe sërish në Usa, kishte postobllok dhe doganë. Doganierja na bëri një varg pyetjesh, ndër të tjera:-“A keni qenë në Kinë ?“! Po, po, është e vërtetë sepse siç thashë në fillim , secili ka historinë e vet përpos historisë se vendit ku shkel. Të kalosh Teksasin mespërmes është një atraksion më vete! Të përshkosh fshatra kaubojsish ku simbol janë çizmet apo të shohësh roderot, fermat interesante me simbole dhe vende me banesa tipike që i ke parë vetëm nëpër filma…
Dhe gjatë rrugës deri në San Diego të shkelësh në shkretëtira! Unë i adhuroj shkretëtirat! Nuk e di përse më pëlqejnë ato nga qetësia, ngjyra e kafenjtë apo rëra dhe format e dunave! E teksa një rast, në Winterhaven, parkuam makinën anash rrugës dhe po i gëzoheshim bukurisë se shkretëtirës si fëmijët, në ajër dëgjojmë që na thërrasin. Të çuditur se nga vjen zëri aq shkoqur, kthejmë kokat dhe shohim disa makina policie ngjitur me tonën parkuar anash autostradës. Policia na thërriste me megafon!
E gjithë rruga nga Miami në San Diego është rreth 5000 km ose rreth 3000 milje. Përshkon shtetet e Florida, Alabama, Misisipi, Lousane, Teksas, New Meksiko, Arizona, Kalifornia; dhe i afrohesh Meksikës aq sa herë-herë të duket se je aty! Rrugës përshkon edhe relieve që duket sikur dalin nga studiot e Hollywood-it ,ashtu si edhe bimësia është jashtëzakonisht e veçantë sidomos për ne evropianët! Veçanërisht në New Mexico apo në Arizona që janë vende unike për relievin e jashtëzakonshëm!
Autostrada është një super-rrugë pa asnjë detyrim pagese, thjeshtë nëse zbaton rregulloren asnjë polic nuk të ndalon. Pushimet dhe karburantet e autostradës janë si hotele-për-të gjithë, me gjithçka aty brenda: dhoma televizori, loje, dushe dhe tualete të mëdhenj. Patatinat dhe frutat e thata-të mrekullueshme, dhe i gjen vetëm në pako XXL. Duke dashur njëkohësisht të ruanim dhe shëndetin, blija dhe konsumoja bajame apo sallata të gatshme që pushimet e rrugës i kishin me shumicë!
Zgjedhja ime e zgjuar? Fakti që sa herë shkoj në Amerikë blej numër telefoni amerikan! Për një pagesë modeste, me mundësi pa limit interneti në të gjithë vendin, gjithë kohës je online; aty- edhe Shqipëria të duket 2-hapa larg. Gjithashtu kur ke numër telefoni Amerikan je i apdatuar edhe me lajmet atje, sepse në celular të vijnë pa fund mesazhe të llojit “është zhdukur një fëmijë meksikan me këto të dhëna “…apo njoftime të shpeshta për furtunë apo stuhi “. Dhe në fund, kur arrin në destinacion?
Lehtësia tjetër amerikane: mund ta lësh makinën që ke marrë me qera thjesht tek adresa e caktuar, pa asnjë lloj formaliteti. Udhëtimi në rrugë tokësore nga Miami në San Diego? Një aventurë e bukur… që u pasua me fluturimin drejt Honolulusë, vend ku gjithmonë të pret një tjetër jetë… Jeta e luleve dhe e gjelbërimit të pamatë…



















