Nga Emi Koleci
Fotografia: Leo Arapaj
Sporti është pjesë e pandarë e jetës së tyre, është një nga arsyet pse ata të dy janë sot çift dhe kanë vendosur t’i dedikohen një disipline që mbi të gjitha i bën të ndihen të lumtur me trupin e tyre. Sheriana Ruçi dhe Kristian Mojallia kanë nisur të merren me sport që në fëmijëri dhe prej asaj kohe, të dy pohojnë se dëshira dhe përkushtimi ndaj një trupi të shëndetshëm vetëm është shtuar. Ata janë në një lidhje dashurie (që mes të tjerave ka emërues të përbashkët dashurinë për palestrën) prej 7 vitesh, duke krijuar imazhin e një ‘çifti fitnesi’ që ushtrohen dhe punojnë si trajnerë personalë. Tashmë ata kanë edhe titullin si çifti i parë në Shqipëri që garojnë sëbashku në garat e ‘’bodybuilding’’!
Kristiani mban titullin kampion në “‘bodybuilding” prej vitesh, e ndërsa Sheriana më parë ka ushtruar disiplinën e peshëngritjes derisa vendosi të bëhet pjesë e kampionatit të “bodybuilding” këtë vit, ku edhe ajo u vlerësua me titullin ‘Kampione Absolute për Shqipërinë dhe Kosovën’.
Personalisht i njihja Sherianën dhe Kristianin nga rrjetet e tyre sociale, Instagram apo TikTok ku numërojnë mijëra ndjekës.
Shumë prej jush mund t’i keni parë videot e tyre ku ndajnë momente të përditshme nga puna apo këshilla dhe motivim për të arritur format e dëshiruara. Sigurisht kisha krijuar perfytyrimin tim për ta, dhe ajo çfarë më bënte kurioze ishte se si kanë arritur të kenë këto forma trupore, një pyetje kjo që pasi i takova mori akoma më shumë kureshtje dhe përgjigjja e tyre ishte njëherazi dhe e qartë: LODHJE, DJERSË dhe DISIPLINË.
Çifti kampion mendon se gjithmonë ka nevojë për përmirësim dhe janë gjithmonë të motivuar, por nëse do të zgjidhnin se cili prej tyre është gati për të thyer çdo limit, ai është Kristiani i cili është gjithmonë aty për ta shtyrë të dashurën e tij drejt më të mirës së saj. Por, cila është vështirësia më e madhe që duhet kapërcyer për të arritur në këtë rezultat që dy profesionistët e “bodybuilding” kanë arritur?
“Patjetër që vështirësitë janë të mëdha, por njëlloj kemi edhe forcën dhe vendosmërinë për t’i kapërcyer. Për të arritur këtu na është dashur shumë punë, na është dashur të heqim dorë nga shumë ushqime që ne i kishim të preferuara, të mbajmë dieta drastike dhe të kontrollojmë edhe sekondat e kohës.”- tregojnë ndër të tjera në këtë bisedë për BORDO…
Jemi mësuar të dëgjojmë se për disa çifte, të punosh në të njëjtin ambient, të ndash të njëjtat pasione dhe të qëndrosh gjithë kohën bashkë, krijon shumë anë ‘negative’ por për këtë Sheriana ka një përgjigje që tregon se jo gjithmonë ndodh kështu… ‘’E vërtetë është që çiftet që ndajnë të njëjtin ambient pune mund të kenë keqkuptime, por me ne ka ndodhur ndryshe, ne kemi ‘vuajtur’ vetëm pak në fillim, sa të krijonim një besim të vërtetë tek njëri-tjetri, tani prezenca vetëm na lidh edhe më shumë. Ndoshta në fillim kemi qenë të dy xhelozë për njëri-tjetrin por duke kaluar vitet, lidhja forcohet dhe mbetet vetëm njëri xheloz, ajo jam unë” , më thotë Sheriana e qeshur.
Ndërsa flasim për të ardhmen e tyre në lidhje me profesionin që kanë zgjedhur të ushtrojnë, një gjë e thonë me siguri. E ardhmja e tyre do të jetë bashkë.
‘’Për arritjet ne nuk do të ndalojmë, kemi bashkuar dy shpirtra luftarakë për të bërë një të vetëm”, tregon me shumë pasion Kristi.
Kristi dhe Sheri (siç të gjithë u thërrasin) janë kthyer në një shembull motivimi edhe për shumë persona që kanë zgjedhur të ushtrohen për të përmirësuar format fizike dhe një mesazh të tillë e ndajnë edhe me lexuesit e Bordo: “Trupi juaj është i vetmi që ju përgjigjet për çdo llojë kërkese që ju keni, përgjigjuni edhe ju në të njëjtën mënyrë, për të jetuar të lumtur bashkë.”
Botuar në BORDO, Dhjetor- Janar 2023







30 vjet Italoptik!











Tomorri, froni i perëndive!

