KreuBusull

Akuza tronditëse pas Meksikë–Ekuador: “Pesë futbollistë u kërcënuan se do t’u vriteshin familjet”

Akuza tronditëse pas Meksikë–Ekuador: “Pesë
Pas humbjes 2-0 ndaj Meksikës, e cila i dha fund aventurës së Ekuadorit në Kupën e Botës, në mediat ekuadoriane kanë qarkulluar akuza të rënda për kërcënime ndaj disa futbollistëve të kombëtares.

Sipas raportimeve, persona të lidhur me kartelet meksikane dyshohet se kanë kontaktuar pesë lojtarë të Ekuadorit pak përpara ndeshjes, duke i kërcënuar se familjet e tyre do të ishin në rrezik nëse skuadra arrinte të fitonte. Pretendohet se gjatë telefonatave janë përmendur edhe adresa dhe informacione private për familjarët e futbollistëve, si në Ekuador ashtu edhe në Meksikë.

Mediat vendase aludojnë se ky presion psikologjik ndikoi drejtpërdrejt në paraqitjen e skuadrës, e cila u shfaq e pasigurt dhe larg nivelit të saj në sfidën vendimtare.

Gazetari i njohur ekuadorian Carlos Vera deklaroi se ka marrë informacione për kërcënime ndaj familjes së një lojtari, por theksoi se nuk disponon prova për të konfirmuar të gjitha pretendimet.

“Jam informuar se familja e një prej lojtarëve tanë që jeton në Meksikë ka marrë kërcënime. Nuk mund të flas me siguri për rastet e tjera, por kjo mund të shpjegojë atë që pamë në fushë. Ekipi luajti pa guxim dhe bëri gabime të pazakonta”, u shpreh ai.

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë provë zyrtare që mbështet këto akuza. Federata Ekuadoriane e Futbollit, FIFA dhe autoritetet meksikane kanë bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë denoncim nga lojtarët apo stafi i kombëtares.

Në Meksikë, pretendimet janë kundërshtuar ashpër. Mediat dhe opinioni publik i konsiderojnë ato si një përpjekje për të justifikuar eliminimin e Ekuadorit dhe për të zbehur kualifikimin e kombëtares meksikane.

Nëse në ditët në vijim do të dalin dëshmi apo prova konkrete, rasti mund të marrë përmasa shumë më të mëdha. Për momentin, gjithçka mbetet në nivel pretendimesh që nuk janë konfirmuar nga autoritetet kompetente.