
Një skenë e pazakontë ka tërhequr vëmendjen në New York, pasi dy persona u ngjitën në majën e Empire State Building, ku realizuan një propozim martese dhe shpalosën një banderolë me një mesazh simbolik për paqen.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë çiftin me maska, teksa qëndrojnë në majën e ndërtesës 443 metra të lartë. Gjatë momentit, ata hapën një banderolë ku lexohej: “Kur fuqia e dashurisë mposht dashurinë për pushtetin, bota njeh paqen.”
Mbetet ende e paqartë se si ata arritën të depërtonin në një zonë kaq të kufizuar të një prej ndërtesave më ikonike në botë.
Departamenti i Policisë së New Yorkut (NYPD) konfirmoi se ka nisur hetimet për ngjarjen, e cila ndodhi rreth mesditës në Empire State Building, në Fifth Avenue. Sipas autoriteteve, nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë, në rrjetet sociale është publikuar edhe një video e filmuar nga njëri prej protagonistëve, e realizuar nga platforma pranë majës së ndërtesës.
Pas alarmit, në vendngjarje u angazhuan dhjetëra efektivë policie, përfshirë edhe Njësinë e Shërbimeve Emergjente, për të siguruar zonën dhe për të zbardhur rrethanat e incidentit.
