KreuBusull

Media italiane “Idealista”: 15 vendet që duhet të vizitoni patjetër në Shqipëri

Media italiane “Idealista”: 15 vendet që duhet të vizitoni
Shqipëria vijon të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një nga destinacionet turistike më interesante në Evropë. Këtë herë është media italiane “Idealista” që i kushton një artikull të detajuar vendit tonë, duke renditur 15 destinacione që, sipas saj, nuk duhen humbur nga asnjë vizitor.

Sipas medias italiane, Shqipëria ofron një kombinim unik të historisë, natyrës dhe bregdetit, ku qytetet antike, fshatrat karakteristikë prej guri, malet dhe plazhet me ujëra të kristalta krijojnë një përvojë të veçantë për turistët.

“Amfiteatrot romake bashkëjetojnë me ndërtesat moderne, ndërsa xhamitë dhe kishat ndodhen pranë njëra-tjetrës, duke dëshmuar harmoninë kulturore të vendit”, shkruan “Idealista”.

Artikulli thekson se Shqipëria mund të eksplorohet lehtësisht, pasi brenda pak orësh mund të udhëtosh nga kryeqyteti drejt Rivierës Joniane ose nga qytetet historike drejt maleve të veriut.

Për një itinerar të plotë, media rekomandon një qëndrim prej 7 deri në 10 ditësh, ndërsa për vizita më të shkurtra sugjeron Tiranën dhe zonat përreth. Pranvera dhe fillimi i vjeshtës konsiderohen periudhat më të mira për të udhëtuar, falë temperaturave të këndshme dhe fluksit më të ulët të turistëve.

Mes destinacioneve të përzgjedhura janë Tirana me teleferikun e Dajtit, Shkodra dhe Kalaja e Rozafës, Berati e Gjirokastra, të mbrojtura nga UNESCO, Korça, Durrësi, Liqeni i Komanit, Thethi, Apolonia, Butrinti, Syri i Kaltër, Parku Kombëtar i Llogorasë, si edhe Riviera Shqiptare me Vlorën, Sarandën dhe Ksamilin.

“Idealista” ndalet edhe te gastronomia shqiptare, duke rekomanduar gatime tradicionale si tava e kosit, byreku, peshku i freskët dhe ëmbëlsirat karakteristike, ndërsa sugjeron që turistët të marrin me vete suvenire si mjaltë, çaj mali, punime artizanale dhe produkte të filigranit.

Sipas medias italiane, pikërisht ndërthurja e trashëgimisë kulturore, peizazheve natyrore dhe mikpritjes e bën Shqipërinë një destinacion që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve evropianë.