Europa po përballet me një nga valët më të rënda të të nxehtit të viteve të fundit, ndërsa Franca dhe Spanja, dy nga vendet më të goditura, po numërojnë viktimat e temperaturave ekstreme. Mes rasteve më tragjike është vdekja e një djali trevjeçar, i cili mbeti i bllokuar në makinën e familjes së tij në periferi të Parisit.
Sipas llogaritjeve të AFP, të bazuara në parashikimet e Shërbimit Meteorologjik Gjerman dhe projeksionet e popullsisë për vitin 2025, mbi 380 milionë njerëz në Europë po përballen me temperatura që tejkalojnë 30 gradë Celsius.
Shefi i klimës në OKB, Simon Stiell, deklaroi se kjo valë e të nxehtit mban "gjurmët e krizës klimatike", duke theksuar se përdorimi i vazhdueshëm i qymyrit, naftës dhe gazit po e përkeqëson situatën.

Edhe zëvendësdrejtoresha e Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus, Samantha Burgess, shpjegoi se fenomeni është shkaktuar nga një "kupolë nxehtësie" me ajër të bllokuar nga Afrika e Veriut. Sipas saj, edhe pse ky është një fenomen natyror, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po i bëjnë valët e të nxehtit më intensive dhe më të shpeshta.
Në Francë, rreth 63 milionë banorë nga gjithsej 67 milionë ndodhen nën alarme për temperatura ekstreme. Temperaturat mbi 30 gradë pritet të prekin edhe rreth 70 milionë banorë në Gjermani, 48 milionë në Itali dhe 38 milionë në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda gjithashtu po përballen me vapë të pazakontë.
Në Spanjë, sistemi i monitorimit të vdekshmërisë MoMo raportoi se 212 persona kanë humbur jetën nga e diela deri të mërkurën si pasojë e temperaturave të larta. Ndërkohë, në rajonin francez Pas-de-Calais, tre vdekje dyshohet se lidhen me të nxehtin ekstrem.
Autoritetet franceze njoftuan se djali trevjeçar kishte hyrë në makinën e pambyllur të familjes gjatë kohës që duhej të flinte dhe u gjet pa ndjenja. Dy fëmijë të tjerë kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme gjatë kësaj jave.
Për t'i shpëtuar vapës, dhjetëra banorë të Parisit kaluan natën në parkun Buttes-Chaumont, ndërsa autoritetet lejuan edhe notin në Kanalin Saint-Martin. Në Bruksel, qytetarët kritikuan mungesën e hapësirave publike për not, duke e cilësuar situatën të papranueshme për një qytet me mbi një milion banorë.

Në Gjermani, ku temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, janë anuluar disa aktivitete në ambiente të hapura, ndërsa operatori hekurudhor Deutsche Bahn u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet për shkak të rrezikut nga zjarret, stuhitë dhe reshjet e dendura.
Mjekët dhe ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë se temperaturat ekstreme rrisin rrezikun e dehidratimit dhe goditjes nga i nxehti, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.
Edhe Mbretëria e Bashkuar mbetet nën alarm të kuq për temperatura ekstreme, me Londrën dhe zonat përreth që pritet të regjistrojnë deri në 38 gradë Celsius, një rekord i mundshëm për muajin qershor.
"Natyra është e zemëruar me ne, sepse po shkatërrojmë gjithçka", tha 97-vjeçarja Lucine Nazikian nga Londra, duke bërë thirrje që ndryshimet klimatike të merren seriozisht për të shmangur pasoja edhe më të rënda në të ardhmen.
