
Pavarësisht viteve të shumta në qendër të vëmendjes dhe sfidave që kanë shoqëruar jetën e tyre publike, Barack dhe Michelle Obama vazhdojnë të jenë një nga çiftet më të admiruar në botë.
Në një intervistë të fundit për revistën People, ish-presidenti amerikan dhe ish-Zonja e Parë folën hapur për martesën e tyre, e cila numëron gati 34 vite.
Barack Obama pranoi se marrëdhënia e tyre nuk ka qenë gjithmonë krejtësisht e barabartë, duke lënë të kuptohet se Michelle ka mbajtur një barrë më të madhe gjatë viteve të angazhimit të tij politik.
“Kam përfituar më shumë nga kjo marrëdhënie sesa ajo. Për Michelle ka qenë ndoshta një rrugëtim më i ndërlikuar,” u shpreh ai.
Çifti ndau gjithashtu mendimet e tyre për Qendrën Presidenciale Obama në Çikago, një projekt që po merr formë në qytetin ku u njohën, ndërtuan familjen dhe rritën vajzat e tyre, Malia dhe Sasha.
Michelle Obama tregoi se bashkëshorti i saj ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj komunitetit dhe krijimit të mundësive për të tjerët.
“Ky projekt ka qenë vizioni i tij që nga dita e parë. Ai donte të ndërtonte një hapësirë ku njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të kenë mundësi të përfitojnë prej saj,” tha ajo.
Nga ana tjetër, Barack theksoi se suksesi i projektit është rezultat i punës së shumë njerëzve dhe jo vetëm i tij, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe kontributit kolektiv.
Duke reflektuar mbi martesën e tyre, ish-presidenti amerikan nuk kurseu fjalët e dashurisë për Michelle-n.
“Që në fillim kuptova se ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, me karakter, integritet, inteligjencë dhe vlera të forta. Prania e saj në jetën time më ka bërë një njeri më të mirë dhe vazhdon ta bëjë edhe sot,” rrëfeu Obama.
