Pasditja e djeshme solli një nga mbrëmjet më elegante në kryeqytet, ku parfumeria e lartë dhe moda u bashkuan në një eksperiencë të kuruar me shumë finesë, duke kaluar përtej një prezantimi tradicional dhe duke u kthyer në një mbrëmje të vërtetë arti, estetike dhe identiteti.
Nën tematikën “Haute Parfumerie Meets Fashion”, eventi i organizuar nga Maison Deparfum, nën drejtimin e CEO-së Alda Prodani, u zhvillua në ambientet elegante të MET Albania, e cila për një natë u transformua në një skenë të vërtetë luksi, e ndriçuar nga tone blu që i jepnin jetë atmosferës dhe përputheshin në mënyrë perfekte me estetikën e koleksionit të prezantuar The Collection Studio.
Gjatë mbrëmjes, çdo detaj dukej i menduar me kujdes nga mënyra e prezantimit të koleksionit me një performancë artisike, tek ndërveprimi me të ftuarit duke sjellë në Tiranë frymën e rafinuar të haute parfumerisë bashkëkohore franceze.


Eventi mblodhi së bashku figura të njohura të ekranit, blogere dhe këngëtare si Orinda Huta, Ronela Hajati, Sarah Berisha, Kristina Baki e shumë të tjerë të cilat i dhanë mbrëmjes një dimension më social, duke e kthyer atë në një nga eventet më të komentuara të momentit në botën e lifestyle-it dhe luksit.





Një nga momentet më të spikatura të mbrëmjes ishte pjesëmarrja e CEO-së së BDK Parfums, David Benedek, i cili u shpreh i nderuar dhe i emocionuar për këtë bashkëpunim në tregun shqiptar me një prej rrjeteve më ekskluzive të parfumerisë premium si Maison Deparfum.

Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe prezenca e çiftit të njohur të showbizit shqiptar, modeles Adrola Dushi dhe këngëtarit Capital T, të cilët u panë mes të ftuarve duke u bërë një nga momentet më të komentuara të mbrëmjes. Në videot e shpërndara shihet teksa çifti kërcen me këngët e Capital T në sfond mes miqsh.


Eventi u mbyll në një atmosferë të bukur dhe elegante, duke lënë pas një ndjesi të veçantë stili dhe parfumi.
©️Klesara Beqiri
