KreuCelebrity

"Kur perceptimi bëhet më i fortë se e vërteta, kjo të lëndon" Miri për eksperiencën në Big Brother dhe paragjykimet

"Kur perceptimi bëhet më i fortë se e vërteta, kjo

Ai është një nga artistët më të dashur të momentit, i cili i ka mbijetuar tregut me një karrierë mbi 20 vjeçare si pjesë e një prej grupeve më legjendare shqiptare "West Side Family" i cili rreth 9 muaj më parë sfidoi veten në një tjetër dimension, atë të reality show për të qenë më pranë publikut, por dhe për të shpalosur veten përtej mantelit të këngëtarit.

Së fundmi finalisti i edicionit të pestë të Big Brother VIP ka dhënë një intervistë ekskluzive për Revistën Bordo, ku ka folur për eksperiencën e tij brenda shtëpisë më të famshme në Shqipëri, momentet më të forta emocionale dhe atë që ka fituar nga kjo aventurë televizive.

I njohur për publikun si pjesë e grupit West Side Family, Miri u shpreh se hyrja në Big Brother ka qenë një eksperiencë që e ka vendosur përballë vetes dhe publikut në mënyrën më të drejtpërdrejtë.

Miri veçon dy momente si më të rëndësishmet e rrugëtimit të tij në spektakël:

“Momenti më i bukur është surpriza kur erdhi vajza. Dhe momenti tjetër është kur takova familjen time në finale. Këto janë dy momentet më të bukura që kam përjetuar aty brenda.”

Ai shton se, pavarësisht emocioneve pozitive, rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë, duke theksuar se momentet e vështira kanë qenë të shumta gjatë gjithë qëndrimit në lojë.

Një pjesë e rëndësishme e intervistës ishte edhe roli i bashkëshortes së tij, të cilën ai e quan “mbështetja më e madhe”.

“Kam diskutuar me të para se të hyja si mund të shkonte jeta ime në Big. Kur dola kuptova sa fort e kishte analizuar lojën time edhe jashtë. Ajo ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe më ka mbështetur në mënyrë të jashtëzakonshme.”

Sipas tij, ajo ka arritur të kuptojë dhe të interpretojë lojën e tij më saktë edhe se disa nga komentuesit publikë.

I pyetur për marrëdhënien me opinionisten Monika dhe komentet se ajo e ka mbajtur anën e tij, Miri ka sqaruar:

“Nuk besoj se ka qenë çështje miqësie. Ajo ka folur kur ka menduar se duhet të më mbrojë dhe më ka kritikuar kur e ka parë të arsyeshme. Ka qenë një qasje e drejtë ndaj lojës sime.”

Miri pranon se është ndjerë i gjykuar gjatë gjithë eksperiencës, por thekson se disa prej komenteve e kanë prekur më shumë se të tjerat:

“Më ka prekur kur jam gjykuar për gjëra që nuk i kam bërë. Kur perceptimi bëhet më i fortë se e vërteta, kjo të lëndon.”

Në fund, këngëtari e përmbledh eksperiencën si një mësim të madh jetësor:

“Kam fituar respekt për një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare që kërkon në televizion një imazh më njerëzor, më të qetë dhe më të dashur. Kam mësuar të vlerësoj më shumë njerëzit dhe të lë pas konfliktet që janë vetëm pjesë e lojës.”

Intervista e plotë