KreuCelebrity

Lajm i trishtë për Francën: Trajneri Deschamps do të mungojë në ndeshjen e së premtes pas ndarjes nga jeta të nënës së tij

Lajm i trishtë për Francën: Trajneri Deschamps do të

Trajneri i kombëtares së Francës, Didier Deschamps, është larguar nga Shtetet e Bashkuara dhe është kthyer në Francë pasi mësoi për vdekjen e nënës së tij. Lajmi u konfirmua nga Federata Franceze e Futbollit (FFF), e cila i shprehu ngushëllimet dhe mbështetjen teknikut 57-vjeçar në këtë moment të vështirë.

"Në këtë periudhë tepër të dhimbshme, i urojmë trajnerit tonë shumë forcë dhe e sigurojmë për mbështetjen e të gjithëve", thuhet në deklaratën e FFF-së, e cila publikoi gjithashtu një mesazh solidariteti edhe në rrjetin social X.

Në mungesë të Deschamps, drejtimin e Francës do ta marrë përkohësisht ndihmëstrajneri Guy Stéphan, i cili do të udhëheqë skuadrën në ndeshjen e së premtes, më 26 qershor, kundër Norvegjisë në Gillette Stadium të Foxboro, Massachusetts. Takimi do të vendosë fituesin e Grupit I.

Franca siguroi kualifikimin për këtë përballje pasi mposhti Senegalin me rezultatin 3-1 më 16 qershor dhe Irakun 3-0 më 22 qershor.

Mungesa e Deschamps vjen më shumë se një vit pasi ai bëri të ditur se do të largohet nga posti i trajnerit të Francës pas përfundimit të Kupës së Botës 2026.

"Në vitin 2026 gjithçka do të përfundojë. E kam shumë të qartë në mendje. Kam dhënë maksimumin me të njëjtën dëshirë dhe pasion për ta mbajtur Francën në nivelet më të larta, por 2026 është momenti i duhur për të ndaluar. Ekziston edhe jeta pas kësaj. Më e rëndësishmja është që Franca të vazhdojë të jetë në elitë", ishte shprehur ai.

Gjatë 14 viteve në krye të kombëtares, Deschamps udhëhoqi Francën drejt triumfit në Kupën e Botës 2018, ndërsa në edicionin e vitit 2022 arriti deri në finale, ku "Gjelat" u mposhtën nga Argjentina pas goditjeve të penalltive. Më herët, ai ishte edhe pjesë e ekipit francez që fitoi Kupën e Botës në vitin 1998 si futbollist.