KreuCelebrity

Cruz Beckham “thumbon” Brooklyn mes përçarjes familjare

Cruz Beckham “thumbon” Brooklyn mes përçarjes familjare
Përçarja brenda familjes Beckham duket se po thellohet gjithnjë e më shumë. Cruz Beckham ka bërë një koment ironik ndaj vëllait të tij, Brooklyn Beckham, gjatë një ndeshjeje të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Ganës në Boston, ku ishte i pranishëm së bashku me babanë e tyre, David Beckham.

Në një Story në Instagram, Cruz publikoi një foto ku shfaqej duke parë telefonin gjatë ndeshjes, ndërsa David Beckham ishte i përqendruar në fushë. Krahas imazhit, ai shkroi me ironi: “Mos u shqetësoni, ishte gjatë pauzës së reklamave.”

Ky koment u interpretua nga ndjekësit si një referencë e drejtpërdrejtë ndaj reklamës së fundit të Brooklyn Beckham për DoorDash, ku ai trajton me humor përçarjen e raportuar me familjen e tij.

Në reklamë, Brooklyn shfaqet duke ndjekur Kupën e Botës nga shtëpia dhe thotë: “Me siguri po pyesni pse po e shoh Botërorin nga shtëpia. Nuk është se nuk kam bileta… është një histori e gjatë.” Më pas ai ia jep biletat një korrieri. Sipas mediave amerikane, për këtë projekt ai është paguar mbi 1 milion dollarë.

Raportohet se reklama nuk është pritur mirë nga David dhe Victoria Beckham, si edhe nga pjesa tjetër e familjes. Burime pranë tyre pretendojnë se e kanë konsideruar të papërshtatshme përdorimin e një situate familjare për qëllime humori komercial.

Përplasjet mes Brooklyn Beckham dhe familjes së tij janë bërë publike prej muajsh. Në një deklaratë të mëparshme, ai ka akuzuar prindërit se kanë ndërhyrë në marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz, përfshirë edhe momente rreth dasmës së tyre në vitin 2022.

Ndërkohë, pjesa tjetër e familjes Beckham vazhdon të shfaqet e bashkuar në publik, përfshirë paraqitjen e fundit të David Beckham në ceremoninë e tij në Hollywood Walk of Fame, ku Brooklyn mungoi.

Sipas raportimeve, marrëdhëniet mbeten të tensionuara, ndërsa komunikimi mes tyre thuhet se po zhvillohet në mënyrë të kufizuar dhe, në disa raste, përmes përfaqësuesve ligjorë.