Aktori i njohur australian dhe fitues i çmimit Oscar, Russell Crowe, vjen në një rol të pazakontë në projektin e tij më të ri kinematografik, “The Get Out”, ku ai interpreton një personazh me origjinë shqiptare.
Në film, Crowe luan Manko Kapak, një pronar clubi shqiptar që ka kaluar dekada të tëra i përfshirë në botën e krimit. Personazhi i tij përballet me probleme serioze shëndetësore dhe një atak kardiak, çka e detyron të rimendojë jetën dhe të largohet nga aktivitetet kriminale.
Megjithatë, dalja nga bota e krimit nuk rezulton aspak e lehtë. Përkundrazi, rruga e tij drejt një jete të qetë shoqërohet me ngjarje të papritura, situata të rrezikshme dhe një seri aventurash që e mbajnë historinë në ritëm të lartë mes aksionit dhe komedisë.
Në film marrin pjesë edhe aktorë të njohur si Nina Dobrev, Aaron Paul dhe Luke Evans, të cilët sjellin histori paralele që ndërthuren me atë të personazhit të Crowe.
Regjisori i filmit, Derrick Borte, e vendos ngjarjen në Los Angeles, ndërsa vetë Crowe ka folur pozitivisht për projektin, duke theksuar kombinimin e humorit, aksionit dhe dramës që karakterizon skenarin.
“The Get Out” pritet të jetë një film me aksion, humor dhe dramë, ku roli i një gangsteri shqiptar të moshuar shënon një nga interpretimet më të veçanta të karrierës së Russell Crowe në vitet e fundit.
