
Marius Borg Høiby, djali i princeshës trashëgimtare të Norvegjisë, Mette-Marit, ka vendosur të apelojë vendimin e gjykatës që e dënoi me katër vite burg, duke këmbëngulur se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i tij, Petar Sekulic, i cili tha se 29-vjeçari nuk e pranon vendimin e Gjykatës së Qarkut të Oslos dhe vazhdon të deklarohet i pafajshëm për akuzat më të rënda që rëndojnë ndaj tij.
“Klienti im beson se vendimi është i gabuar dhe për këtë arsye ka zgjedhur ta kundërshtojë atë në instancat më të larta”, u shpreh Sekulic për mediat norvegjeze.
Më 15 qershor, Høiby u shpall fajtor për një sërë veprash penale dhe u dënua me katër vite burg. Ai ishte përballur me 32 akuza në total, përfshirë disa raste të dhunës seksuale. Gjykata e liroi nga përgjegjësia për dy prej këtyre akuzave, ndërsa për të tjerat vendosi dënimin me burg.
Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria kishte kërkuar një dënim prej shtatë vitesh e shtatë muajsh, ndërsa mbrojtja argumentoi se masa e dënimit duhej të ishte dukshëm më e ulët.
Høiby ka mohuar vazhdimisht akuzat për dhunë seksuale, megjithëse ka pranuar përgjegjësi për disa shkelje më të lehta të ligjit.
Edhe pse është pjesë e familjes së princeshës trashëgimtare Mette-Marit, Marius Borg Høiby nuk ka titull mbretëror dhe nuk mban asnjë rol zyrtar brenda Familjes Mbretërore të Norvegjisë.
