
Bashkëshortja e kryeministrit të Spanjës, Pedro Sánchez, Begoña Gómez, do të dalë para drejtësisë për akuza që lidhen me korrupsionin, ndërsa ndaj saj janë vendosur edhe masa kufizuese për largimin nga vendi.
Sipas mediave spanjolle, Gómez po hetohet për dyshimet se ka përdorur statusin e saj si bashkëshorte e kreut të qeverisë për të siguruar kontrata dhe përfitime të tjera. Ajo i ka mohuar të gjitha akuzat.
Gjykatësi hetues Juan Carlos Peinado ka urdhëruar dorëzimin e pasaportës së saj, i ka ndaluar daljen nga territori spanjoll dhe ka vendosur që ajo të paraqitet në gjykatë dy herë në muaj.
Rasti është pjesë e një sërë hetimesh për korrupsion që po afrohen drejt fazës së gjykimit, duke shtuar presionin politik mbi Pedro Sánchez. Vetë kryeministri nuk është nën hetim dhe ka deklaruar se akuzat janë pjesë e një fushate me motive politike që synon largimin e tij nga pushteti.
Pas vendimit të gjykatës reagoi Partia Socialiste, e cila e cilësoi procesin si vazhdim të një “persekutimi politik dhe gjyqësor” ndaj Begoña Gómez.
Ndërkohë, autoritetet spanjolle po zhvillojnë hetime të tjera që përfshijnë figura të afërta me Sánchez, ndërsa në një çështje të veçantë është përmendur edhe ish-kryeministri José Luis Rodríguez Zapatero, i cili ka hedhur poshtë kategorikisht akuzat ndaj tij.
