
Një trup i pajetë në gjendje të avancuar dekompozimi është zbuluar në një zonë të thellë malore mes Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa hetuesit dyshojnë se mund të bëhet fjalë për Eglant Koçin, 34-vjeçarin i zhdukur që prej 4 qershorit.
Sipas burimeve hetimore, trupi u lokalizua gjatë kontrolleve të kryera nga ajri me dron, në një terren të vështirë ku prej disa ditësh po zhvilloheshin operacione intensive kërkimi. Mësohet se viktima nuk ishte e groposur.
Identifikimi zyrtar do të kryhet përmes analizave mjeko-ligjore dhe ekzaminimeve laboratorike, të cilat pritet të konfirmojnë nëse bëhet fjalë për 34-vjeçarin e zhdukur.
Hetimet kanë nxjerrë në fokus Armand Shakajn, 41-vjeçarin e shpallur në kërkim si autor i dyshuar i ngjarjes. Sipas policisë, ai dyshohet se më 6 qershor ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij drejt zonës së Ibës, me qëllim shmangien e kontrolleve dhe tërheqjen e më pak vëmendjeje.
Dyshimet e hetuesve janë se automjeti mund të jetë përdorur për transportimin e trupit. Nga verifikimet e kamerave të sigurisë rezulton se Eglant Koçi humbi kontaktet me familjarët më 4 qershor, ndërsa ekziston dyshimi se trupi i tij mund të jetë mbajtur për një kohë brenda automjetit të Shakajt.
Në kuadër të hetimeve është marrë në pyetje edhe drejtuesi i karrotrecit, i cili ka deklaruar se e kishte transportuar mjetin pranë një servisi në Ibë, pasi i ishte thënë se kishte pësuar defekt, pa pasur dijeni për rrethanat apo përmbajtjen e tij.
Ndërkohë, në zyrën ku dyshohet se është mbajtur 34-vjeçari janë zbuluar gjurmë mbetjesh baruti. Analizat laboratorike pritet të përcaktojnë nëse ato kanë lidhje me ngjarjen.
Paralelisht me procesin e identifikimit të trupit, policia vijon operacionin për kapjen e Armand Shakajt. Sipas burimeve, 41-vjeçari dyshohet se ka ndryshuar disa herë numrat e telefonit gjatë ditëve të fundit, në përpjekje për t’iu shmangur gjurmimit nga autoritetet.
