
Kupa e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, do të sjellë disa ndryshime të rëndësishme në rregulloren e lojës. Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit (IFAB), organi që harton dhe miraton rregullat e futbollit, ka prezantuar një sërë masash të reja me synimin për të rritur ritmin e ndeshjeve dhe për të përmirësuar përvojën e lojtarëve dhe tifozëve.
Në procesin e zbatimit të këtyre ndryshimeve ka pasur një rol të rëndësishëm edhe Pierluigi Collina, ish-gjyqtari legjendar dhe aktualisht kreu i departamentit të arbitrimit në FIFA.
Një nga risitë më të rëndësishme është zgjerimi i kompetencave të sistemit VAR, i cili do të ketë më shumë mundësi për të korrigjuar vendimet e gabuara.
Gjashtë rregullat e reja që do të aplikohen në Botërorin 2026
1. Zëvendësimet do të kryhen më shpejt
Lojtarët që largohen nga fusha do të kenë vetëm 10 sekonda në dispozicion për të dalë. Nëse vonohen, futbollisti që pritet të hyjë në lojë do të detyrohet të presë edhe një minutë shtesë para se të aktivizohet.
2. Afat kohor për rivëniet në lojë
Gjyqtarët do të përdorin një numërim mbrapsht prej pesë sekondash për autet dhe goditjet nga porta. Nëse një skuadër nuk e ekzekuton autin në kohë, topi do t’i kalojë ekipit kundërshtar. Ndërsa vonesa në goditjen nga porta mund t’i japë kundërshtarit një goditje nga këndi.
3. Dalje e detyrueshme pas trajtimit mjekësor
Futbollistët që marrin ndihmë mjekësore në fushë do të duhet të qëndrojnë jashtë saj për 60 sekonda para se të rikthehen në lojë, me përjashtim të rasteve të veçanta të parashikuara nga rregullorja.
4. Më shumë kompetenca për VAR-in
Sistemi i videoasistencës do të ketë të drejtën të ndërhyjë për të korrigjuar kartonët e dytë të verdhë të dhënë gabimisht, si edhe vendimet e pasakta që lidhen me goditjet nga këndi.
5. Kontroll i faulleve para rivënieve në lojë
VAR-i do të mund të verifikojë edhe shkeljet e mundshme që ndodhin përpara se topi të futet në lojë gjatë goditjeve standarde.
6. Karton i kuq për mbulimin e gojës gjatë përplasjeve
Sipas rregullave të reja, lojtarët që mbulojnë gojën gjatë konfrontimeve me kundërshtarët mund të ndëshkohen me karton të kuq, në kuadër të masave për të rritur transparencën dhe për të shmangur sjelljet e papërshtatshme.
Këto ndryshime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ndeshjeve të Botërorit 2026, duke synuar një lojë më dinamike dhe më të drejtë.
