
Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi dhe tetë bashkëpunëtorë të saj janë dënuar me nga 74 goditje me kamzhik, pas një koncerti të transmetuar drejtpërdrejt në YouTube në fund të vitit 2024, gjatë të cilit artistja u shfaq pa hixhab.
Sipas dokumenteve të siguruara nga organizata për të drejtat e njeriut, Gjykata Penale e provincës Qom i ka shpallur ata fajtorë për shkelje të normave të moralit publik, duke argumentuar se materiali i publikuar në internet përmbante elemente që autoritetet i konsideruan “imorale”.
Përveç ndëshkimit fizik, artistja dhe anëtarët e ekipit të saj janë përballur edhe me masa të tjera, mes të cilave ndalimi për të udhëtuar jashtë Iranit dhe pezullimi i aktivitetit artistik për një periudhë dyvjeçare.
Koncerti i Ahmadi, i cili u transmetua në YouTube dhe u bë shpejt viral, tërhoqi vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Pak pas publikimit të videos, këngëtarja dhe disa nga muzikantët e saj u ndaluan përkohësisht nga autoritetet, ndërsa më vonë ndaj tyre u ngritën akuza zyrtare.
Rasti ka shkaktuar reagime të forta nga aktivistët dhe figurat publike iraniane brenda dhe jashtë vendit. Qendra për të Drejtat e Njeriut në Iran e cilësoi vendimin si një tjetër tregues të kufizimeve të vazhdueshme ndaj lirisë së shprehjes dhe të drejtave të grave.
Aktorja iraniano-britanike Nazanin Boniadi dënoi ashpër vendimin, duke e quajtur atë një shembull të vazhdimësisë së politikave represive të Republikës Islamike.
Edhe aktorja iraniane në mërgim Setareh Maleki shprehu mbështetjen e saj për këngëtaren, duke deklaruar se performanca e Parastoo Ahmadi i riktheu ndjenjën e rezistencës dhe krenarisë, pavarësisht rrezikut me të cilin përballej.
Rasti i artistes 29-vjeçare ka rikthyer edhe një herë debatin mbi lirinë artistike dhe kufizimet kulturore në Iran, ndërsa shumë artistë dhe aktivistë e shohin këtë vendim si një sinjal të përshkallëzimit të presionit ndaj zërave kritikë.
