Nga Doreada Mio
“Një kemi si ty”, - i thashë unë, në një moment entuziazmi të sinqertë njërës prej shoqeve tek ishim mbledhur e bisedonim. Ende pa mbaruar mirë fjalinë, ma ktheu shoqja tjetër:
“Pse ne të tjerave na ke në seri?”.
Në atë moment mendova: ja pra, ky është edukimi ynë emocional rreth një tavoline mikesh.
Për mënyrën si jemi rritur, ne përgjithësisht nuk dimë ta marrim një kompliment pa bërë menjëherë inventarin e grupit. Nëse njëra del “unike”, të tjerat kërkojnë automatikisht barazinë morale. Është sikur komplimenti për njërën të ulë automatikisht vlerën e të tjerave.
Në shoqërinë tonë krahasimi ka qenë metodë edukimi. Shumë prej nesh nuk u rritën duke zbuluar kush ishin, por duke mësuar me kë duhej të krahasoheshin. Gjithmonë ishte një vajzë “më e mirë” që përmendej si shembull:
“Shih shoqen e klasës sa e zonja është”.
“Shiko kushërirën sa e shkathët është”.
“Merr shembull nga motra që i ka të gjitha notat 10-a”.
Gjithmonë dikush ishte standardi dhe dikush tjetër prova që t’i duhej të përmirësoheshe. Dhe pa e kuptuar, filluam ta ndërtojmë vlerën tonë jo nga ajo që ndienim për veten, por nga vendi që zinin të tjerat pranë nesh.
Madje edhe dashuria shpesh jepej me renditje. Ne jemi tri motra. Kujtoj një herë mamanë time kur iu drejtua motrës sime të dytë, “ti je më e bukura”. Në moment kthehet nga unë dhe shton “ti më e zgjuara”. Motra e vogël s’foli, “ti je më e urta”…, përfundoi renditjen mamaja ime pa e kuptuar që pa dashje na kishte lënduar nga pak të trijave….
Alfred Adler, i pari psikoterapist, i specializuar në psikologjinë e komunitetit, thoshte se “ndjenja e inferioritetit dhe krahasimi janë pjesë e natyrës njerëzore, por problemi nis kur njeriu e mat vlerën e vet vetëm përmes të tjerëve”. Dhe ndoshta ne gratë jemi edukuar pikërisht kështu: të shohim fillimisht tjetrën, pastaj veten.
Prandaj edhe sot, në moshë të rritur, ne kemi zhvilluar një mekanizëm shumë elegant: komplimentin e presim me dyshim. Dhe nëse komplimenti është shumë ekskluziv, grupi hyn në alarm.
Ka raste kur ne nuk jemi xheloze me tjetrën. Jemi thjesht të lodhura nga krahasimi i vazhdueshëm. Sepse jemi mësuar të mendojmë se vlera e një gruaje matet gjithmonë në raport me një tjetër.
Por unë besoj se pjekuria mes grave fillon në momentin kur arrijmë ta admirojmë njëra-tjetrën pa u ndjerë të kërcënuara. Kur komplimenti nuk shihet si përjashtim për njërën, por si mundësi për të parë të bukurën te tjetra.
Sepse ndonjëherë fjalia më e vështirë për t’u thënë me qetësi është edhe më e thjeshta:
“Sa e mirë je”.
Dhe të tjerat të mos nënkuptojnë asgjë tjetër.
