KreuBusull

"Dëgjojmë njerëz gjallë nën rrënoja" Pamje apokaliptike në Venezuelë, dy tërmete brenda 40 sekondash shkatërrojnë qytete, dhjetëra viktima

Dy tërmete të fuqishme goditën bregdetin verior të Venezuelës të mërkurën mbrëma, duke shkaktuar një nga fatkeqësitë natyrore më të rënda në historinë moderne të vendit. Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave pritet të rritet.

Lëkundja e parë, me magnitudë 7.2, ndodhi pak pas orës 18:04 (ET) 00:04 në Shqipëri, pranë qytetit San Felipe në Yaracuy. Vetëm 40 sekonda më vonë, një tërmet edhe më i fuqishëm me magnitudë 7.5 goditi zonën pranë Yumare, duke u bërë tërmeti më i fortë që ka goditur Venezuelën në më shumë se një shekull.

Goditjet u ndjenë në të gjithë vendin dhe në shtetet fqinje, përfshirë Kolumbinë. Sipas Qendrave Amerikane të Paralajmërimit për Cunami, nuk ekziston më rrezik për cunami.

Dëme të mëdha janë raportuar në Caracas dhe në qytetet bregdetare Catia La Mar dhe Macuto, ku dhjetëra ndërtesa janë shembur. Shteti bregdetar La Guaira konsiderohet zona më e goditur dhe është shpallur zonë katastrofe.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet pa ndërprerje. Kryetari i Bashkisë së Chacao, Gustavo Duque, deklaroi se ekipet e shpëtimit ende dëgjojnë njerëz të gjallë nën rrënoja.

"Fatmirësisht po dëgjojmë njerëz të gjallë dhe do t'i shpëtojmë. Nuk do të largohemi derisa të shpëtojmë personin e fundit që mund të nxjerrim të gjallë," tha ai, duke shtuar se deri tani janë shpëtuar 23 persona.

Dëshmitarët përshkruajnë skena paniku. Një banor i Caracasit, që kishte përjetuar edhe tërmetin e vitit 1967, tha se lëkundjet e kësaj radhe ishin të paprecedenta, ndërsa një tjetër i mbijetuar e krahasoi situatën me "një film horror".

Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Mësimi është pezulluar për një javë, shërbimet hekurudhore dhe aktivitetet jo thelbësore janë ndërprerë përkohësisht, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar Simón Bolívar në Caracas mbetet i mbyllur për shkak të dëmtimeve.

Ndihma ndërkombëtare ka nisur të mobilizohet. Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit, personelit mjekësor dhe ndihmës humanitare. Mbështetje kanë ofruar gjithashtu Meksika, Kolumbia, Peruja, Argjentina, Turqia, Panamaja, Brazili, Kina dhe disa vende të tjera.

Katastrofa pritet të rëndojë edhe më tej ekonominë venezueliane, e cila prej vitesh përballet me hiperinflacion, korrupsion, keqmenaxhim të sektorit të naftës dhe sanksione ndërkombëtare, duke e bërë rimëkëmbjen e vendit edhe më të vështirë.