Nga Ilda Lumani
Fotografia: Elvis Sula
Me Besin, apo siç e njohin të gjithë Besian Ajazi, na ka lidhur puna në një nga kompanitë mediatike ku kemi punuar vite më parë, News 24 dhe Gazeta Shqiptare. Gjithmonë kam patur një përshtypje pozitive për të, të një djaloshi punëtor, të qetë, që e transmetonte punën e tij në mënyrë të natyrshme pa bujë dhe prepotencën, çka shpesh na karakterizon ne gazetarëve. Atë ndjesi kam ruajtur ndër vite për të, teksa e kam parë nga larg rritjen e tij profesionale, prej disa vitesh tashmë si pjesë e politikës, fillimisht si deputet dhe aktualisht kryetar i bashkisë së Gramshit. Kohë më parë kur ndau lajmin e binjakëve në rrjetet sociale, m’u bë qejfi edhe për këtë plotësim të jetës së tij, siç është familja. Ndaj, m’u duk me vend, që në këtë numër të “Bordo KIDS” ta bënim pjesë me një editorial fotografish familjare, dhe një intervistë, për të njohur më shumë njeriun që ai është, e veçanërisht pjesën si baba, ku përjetimet e çdo njeriu janë unike!
Besian, përshëndetje! Dikur pjesë e medias, televizionit, si e kujton atë kohë?
Përshëndetje dhe faleminderit për mundësinë, që më krijuat për të qenë pranë lexuesve të revistës suaj. Për t’ju kthyer pyetjes, unë jam bërë pjesë e medias në moshën 18-vjeçare, pra rreth 21 vite më parë deri në moshën 26 vjeç, kur edhe bëra ‘divorc’ nga media e terrenit. E kujtoj si periudhë shumë të bukur, ku kam nxënë shumë profesionalisht por edhe si njeri. Ato 8 vite në tre televizione të ndryshme kanë lënë gjurmë të thella tek unë, ishin kohë të një moshe të freskët, më shumë dinamizëm në gazetarinë e terrenit, nga një ngjarje në një tjetër, nga një aktivitet në një tjetër dhe shumë herë pa pushim jave. Media ato kohë ishte ajo tradicionalja, vetëm gazeta, televizione, radio, revista dhe ishte shumë e bukur ashtu, me ritëm, profesionalizëm, ndershmëri. E kujtoj me shumë nostalgji atë kohë.
Të linit gazetarinë për politikën ishte një vendimi i menduar mirë, apo një rastësi?
Ishte e natyrshme, pra as e mirëmenduar, as aty për aty. Me këtë dua të them, që nuk ka patur asnjë plan apo “skenar” për kalimin media-politikë, por një “zhvendosje” e natyrshme. Që të jem me i qartë, si gazetar kam mbuluar në pjesën më të madhe sektorin e politikës, konkretisht opozitën e asokohe, Partinë Socialiste dhe aty pata mundësinë të njihesha me drejtuesit dhe strukturat drejtuese, por ndërkohë isha i angazhuar si i ri në strukturat e PS-së, për shkak të një lidhje të natyrshme me këtë forcë politike, duke qenë që babai ka qenë i zgjedhur kryetar Bashkie në qytetin e Gramshit në mandatin e parë pluralist 92-96. Prandaj dhe ju thashë në fillim të përgjigjes, ishte një kalim i natyrshëm.
Çfarë ka kaq tërheqëse politika për ju, që nuk e ka media?
Të dyja janë tërheqëse, por janë tërheqje të ndryshme. Media është tërheqëse në misionin e saj, informimin pa anshmëri të publikut, ndërsa politika në misionin e saj, përmirësimin e cilësisë së jetesës së publikut (njerëzve).
Në gjithë këto vite tashmë në politikë, nga deputet në kryetar Bashkie, si do ta përshkruaje këtë udhëtim?
Është si udhëtimi në këmbë në shtigjet e Malit të Valamarës, në Gramsh, me vështirësi, por mbresëlënës. I vështirë sepse detyra e deputetit por edhe e kryetarit të bashkisë, është më shumë përgjegjësi sepse je njeriu i përzgjedhur prej votuesve, për t’ju shërbyer atyre por edhe i bukur, mbresëlënës sepse merr një kënaqësi të paimagjinueshme, kur bëhesh pjesë e zgjidhjes së kërkesave dhe shqetësime të njerëzve, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.
Të linit kryeqytetin, për t’u kthyer në një qytet të vogël, ishte sfidë? Çfarë adrenaline, kënaqësie në fakt të jep sot të qenit drejtuesi i një bashkie?
E thashë është më lart, zgjidhja e problematikave, kërkesa dhe shqetësimeve të ndryshme të bashkëqytetarëve të mi janë kënaqësia apo adrenalina më e madhe që unë marrë si kryebashkiak, duke ndikuar më të gjitha mundësitë e mia në kryerjen e punëve apo shërbimeve të ndryshme për qytetin dhe qytetarët. Unë jam kthyer në Gramsh fizikisht, sepse shpirtërisht nuk jam larguar kurrë. Lidhjet me qytetin, pavarësisht largimit në Tiranë për arsye shkollimi nuk i kam ndërprerë asnjëherë, prandaj dhe nuk e quaj “kthim” Gramshin. Sfidë po, patjetër, sepse kam marrë angazhimin jo vetëm t’i shërbejë bashkëqytetarëve të mi, por edhe të realizoj, me ndihmën e qeverisë projekte të ndryshme zhvillimore për qytetin.
Ju në parlament u njohët edhe me bashkëshorten. Ja njeh edhe këtë “të mirë” politikës?
Po e vërtetë, Jonida ishte në Kuvend për një “intership” nga NDI dhe aty u njohëm bashkë. Të them të drejtën, nuk i kam besuar thënies “dashuri me shikim të parë”, por ndryshova mendim kur e përjetova vetë. Dhe njohja me Jonidën, ishte fiks kështu. Nëse mund të quhet “meritë”, po, le ta quajmë.
Pas martese, ngjarja më e bukur e jetës së një njeriu janë ardhja në jetë e fëmijëve? Ju si e kujtoni atë moment? Të bëhesh baba i dy binjakëve është një surprizë sa e bukur edhe impenjuese, kur e morët vesh lajmin, si u ndjetë?
Them se jam i “përkëdhelur” nga Zoti në këtë drejtim. Titullimi “baba” është gjëja më bukur që më ka ndodhur në jetë dhe binjakët Dren e Glor janë dy bekimet e Zotit për familjen time. Momenti i parë kur mora vesh që Jonida ishte shtatzënë ishte shumë emocionues, por një ditë më pas kur mora vesh që nuk ishte një bebe por dy, kjo ishte një tjetër gjë komplet. Emocionet ishin të forta, gëzimi ishte i papërshkrueshëm tek unë, por nga ana tjetër Jonida përveç se ishte e gëzuar, filloi të shqetësohej në lidhje me shtatzëninë binjakë, me vështirësitë e rritjes së tyre, impenjimin që kërkojnë binjakët, etj. etj. por çunat sot janë 2 vjeç e dy muaj dhe Jonida ia ka dal me vështirësitë e fillimit.
Po momentin, kur fëmijët erdhën në jetë si e kujton?
Nëse lajmi për pritjen e binjakëve ishte një moment gëzimi i papërshkrueshëm, dita e ardhjes në jetë ishte më e vështira për mua. Shtatzënia e Jonidës nuk shkoi e qetë dhe pa probleme, por fal Zotit dhe doktoreshë Eljona Demalia sot unë gëzoj Drenin dhe Glorin. Ishin këto arsyet që ditën që doktoresha vendosi të bëjë ndërhyrjen, përjetova një stres të fortë dhe frikë të madhe në lidhje me fatin e ndërhyrjes dhe nga gjithë ajo ditë mbaj mend, vetëm momentin kur në hollin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” pashë në krahët e kryemamisë dy trimat e mi të vegjël, që luftuan shumë për të ardhur në jetë. Para dhe pas këtij momenti, mbaj mend shumë pak ose aspak.
Kanë një histori, një domethënie emrat e çunave, Dren dhe Glor?
Si në çdo familje, kur pritet një fëmijë fillojnë dhe “konfrontimet” e para, kush do ta vendosë emrin, çfarë emri do të vendoset, madje ndonjëherë edhe me komision familjar, por te ne ky problem nuk ishte sepse u ndamë në paqe, një emër Jonida, një unë. Gjatë gjithë shtatzënisë, Jonida i mendonte çunat bardhosha, me flokë biondë dhe zgjodhi shumë kohë më parë se të lindnin që emrin e njërit prej çunave ta vendoste Dren, si dreri. Ndërsa e kundërta ndodhi me mua, unë e vendosa emrin e djalit tjetër, Glor, një javë para se të vinte në jetë. Glor, nga anglishtja glory (lavdi), duke i bërë kështu edhe një emërtim të asaj që kaluam, fitores me lavdi.
Rutina e përditshme të lë kohë t’u dedikohesh fëmijëve, sa do të doje, dhe familjes?
Në fakt një nga pengjet që kam prej më shumë se një viti, është fakti që nuk jam shumë prezent në familje dhe me fëmijët. Dikur babai më thoshte: babi ne fëmijët na gjente në gjumë dhe na linte në gjumë; Por unë nuk e kuptoja, ndërsa tani e përjetoj vetë këtë ndjesi, në të shumtën e rasteve fëmijët i gjej në gjumë dhe i lë në gjumë, me ata përpiqem të çmallen dhe t’u përkushtohem në fundjavë, por dhe këto nuk janë të shpeshta. Edhe kur kanë thënë “ba” për herë të parë, edhe kur kanë ecur për herë të parë, unë nuk kam qenë aty, nuk i kam përjetuar ‘live’, por gjithmonë me video nga bashkëshortja.
Çfarë është një gjë e veçantë, që t’i bën çdo ditë me ta?
Ju thashë edhe më parë, që një ditë nuk i ngjan një tjetre në raport me fëmijët, dhe për këtë arsye s’kam një rutinë të përditshme, por sa herë që jam me ata në darkë, është loja me ngacmime deri në gajasje përpara se të flenë dhe sa herë që dal nga shtëpia, ata të dy gjithmonë vijnë me përcjellin dhe mbyllin derën.
Je nga ata baballarë, që i ke ushqyer fëmijët, ju ke ndërruar pampersat?
Aaaa, kjo është pika ime më e fortë, me të cilën arrij gjithmonë të marrë mirëkuptimin apo “faljen” nga Jonida për mungesat e mia në familje. Sa herë jam me fëmijët, qëllon që ushqej, i ndërroj, i laj dhe kujdesem me sa mundësi kam. Ka ditë që kur çohem në mëngjes dhe kam kohë, bëj gati edhe mëngjesin e çunave dhe pastaj nisem për punë. Kjo është më e pakta, që mund të bëj për ata dhe e bëj me shumë dëshirë dhe dashuri.
Do ta shtoni familjen tuaj në të ardhmen?
Kjo është një temë e nxehtë në familjen time dhe e ndaluar të bisedohet (shaka). Tani për tani është herët, për të menduar konkretisht, për ta shtuar familjen por patjetër që në një të ardhme Dren dhe Glor duan edhe dy motra. Negociatat vazhdojnë :).
Cili është motivi juaj i çdo mëngjesi?
Familja dhe përgjegjësia që kam për t’i shërbyer bashkëqytetarëve të mi.
Në bashkinë që drejtoni, cilat janë sfidat e përditshme?
Gramshi është një qytet jo i vogël gjeografikisht, i bekuar nga Zoti dhe natyra me lumenj, liqene, ujëvare, kanione, shpella dhe kala. Është i bukur, i pastër, i qetë, me njerëz të urtë dhe punëtore, të edukuar dhe të ndershëm. Sfidat janë të shumta, thuajse në të gjithë sektorët kemi ende shumë punë për të bërë, në infrastrukturë rrugore, urbanizim blloqesh banimi, ujësjellesa, arsim, shëndetësi, kulturë, art dhe sport. Unë si kryeshërbëtor dhe administrata që unë drejtoj, jemi pa ndalim në drejtim të punëve për të bërë të mundur rritjen e investimeve dhe shërbimeve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve të mi. Prandaj nëpërmjet jush, dua të ftoj të gjithë lexuesit tuaj që të vijnë në Gramsh, të shijojnë bukuritë mahnitëse që ofron natyra dhe të kalojnë një ditë të paharrueshme.
Ku e sheh veten pas 10 vitesh?
Në shërbim të qytetit dhe bashkëqytetarëve të mi, kudo ku të më jepet mundësia.



















