KreuCelebrity

Ekskluzive/ Keli Guga; fanatik i muzikës së shpirtit!

Ekskluzive/ Keli Guga; fanatik i muzikës së shpirtit!

Keli Guga

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Keli është një personazh që zgjon kureshtjen, edhe pa u njohur si figurë publike. Për disa ai është instrumentisti i njohur i saksofonit, për të tjerë artisti i apasionuar pas muzikës jazz, për studentët e Akademisë së Arteve Keli pedagogu ‘cool’ që e ka fare të lehtë të bëhet njësh me ta, për kalimtarët që e rastisin në rrugë është një figurë veshja e të cilit vështirë se lë kënd indiferent, e për një brez pak më të rritur Keli Guga është zeshkani simpatik në grupin e njohur shqiptar “Spirit Voice”.

Keli, një personazh që zgjon kureshtjen edhe pa u njohur si personazh publik. Pra nëpërmjet stilit të veshjes. Haseni shpesh me sy kureshtarë?

Në të vërtetë hasem me kureshtjen, e cila shprehet me reagime të ndryshme sipas zonës urbane ku mund të ndodhem. Forma habitore është më e shpeshta, por sigurisht ky fakt ka përfunduar për mua, deri në momentin kur unë kam qenë kureshtar për mënyrën se si tjerët shprehin habinë dhe kureshtjen e tyre njëkohësisht.

Ekskluzive/ Keli Guga; fanatik i muzikës së shpirtit!

Si do ta përkufizonit stilin tuaj të veshjes?

Stili im në të vërtetë nuk ka një qëllim në vetvete ose një përkufizim. Është thjesht një shprehje e formës së jetesës sime ose çdokujt që pëlqen të bukurën, ngjyrën, është një formë lirie, pa të interesuar opinioni përreth...e thënë shkurt 'alla Keli'

Për ju personalisht veshja është një rrobë që hidhet mbi trup, apo kalon përtej kësaj?

Sigurisht përfaqëson më shumë sesa një 'rrobë'. Ajo që mban në trup është një lloj energjie, që bashkë me gjërat e tjera personalizojnë formën tënde unike. Jo se unë i kushtoj shumë kohë, por i jap vëmendjen time kësaj pjese. Jam me parimin që çdo njeri po nuk u kujdes për veten, nuk mund të kujdeset për dikë tjetër. Tashmë është bërë normale që në nisjen e ditës më zgjedh rroba mua dhe jo unë rrobën, ndodh një kimi e padukshme në këtë raport që përshtatet çuditërisht me mënyrën dhe gjendjen tënde sesi je zgjuar ose mënyrën si e sheh ditën.

Çfarë mendoni se ka ndikuar te ju për t’ju injektuar dëshirën që të dukeni gjithmonë bukur?

Kjo pyetje për mua ka një spektër shumë të gjerë, sepse ne shohim rezultatin që në këtë rast jam unë që dukem bukur gjithmonë. Ju siguroj, asgjë nuk është rastësi. Ka gjëra që duken dhe nuk duken. Nuk e di çfarë kam qenë në një jetë tjetër, po diçka patjetër lidhur me këtë gjë. Njeriu ndërtohet mbi një bazë memorie që daton nuk e di se kur. Unë mendoj që ime më, më ka dhënë vëmendje të veçantë dhe si fëmija i parë është përkujdesur shumë të më rrisë me ndjenjën e përkujdesjes ndaj vetes. Kujtoj që në fëmijëri i duhej të punonte shumë për të më veshur bukur, edhe pse mundësitë ishin njësoj si të pamundura. Është njeriu i vetëm që dhe sot po të më shohë në rrugë me diçka që nuk i pëlqen, gëzon aftësinë të më kthejë në shtëpi për t’u ndërruar.

Ekskluzive/ Keli Guga; fanatik i muzikës së shpirtit!

Ka qenë gjithmonë kështu, edhe në vitet kur ishte e vështirë të ndiqje modën për shkak të kushteve?

Po, kështu ka qenë. Ndoshta sot vihet re, ose evidentohet më shumë nga njerëzit. Ndoshta unë sot jam më i qartë, ose më është bërë shprehi. Unë jam njeri që kam lëvizur që në fëmijëri nga Shqipëria, në kohën kur akoma nuk ishim hapur si vend. Kontakti i herët me botën ka të bëjë shumë, sepse je në proces formimi.

Çfarë marrëdhënie keni me markat e luksit?

Në gardërobën time ka shumë pak marka. Preferoj gjërat e personalizuara, ku nuk e fsheh dëshirën për t’u marrë vetë kur kanë procesin e qepjes. Kam marrëdhënie shumë të mira me përmbajtjen e materialit pambuk, lino, etj., se sa me markën.

Po aq interesant dhe i veçantë është instrumenti muzikor që keni zgjedhur gjatë karrierës si muzikant. Pse saksofoni?

Kurrë s’do kem një përgjigje të saktë për këtë. Të gjithë kemi një mision në jetë pa ja ditur të gjithë arsyen. Kjo është e bukura jetës. Di të them që saksofoni është instrument dielli, i tillë klasifikohet. Të themi që më ka zgjedhur mua saksofoni, mua më pëlqen kur më identifikojnë Keli Saksofonisti. Gjithsesi unë i mbetem shumë mirënjohës universit për gjithçka që më ka personalizuar mua.

Po ashtu jazz, është një zhanër aspak komercial. Më thoni një zhanër muzike që nuk e dëgjoni kurrë?

Unë mbetem fanatik i muzikës jazz. Dëgjoj shumë muzikë dhe eksperimentoj në formate të ndryshme të muzikës, qoftë analoge akustike dhe në ato elektronike. Nuk ka muzikë të keqe, përveçse kur luhet keq. E vetmja muzikë që nuk dëgjoj është ajo që nuk njoh. Mbetem fanatik i muzikës emocionale, intolerant ndaj asaj mediokre dhe shumë i hapur ndaj zhanreve të reja në këtë fushë.

Keli, ju jeni nismëtari i çeljes së degës së saksofonit në Akademinë e Arteve. Ka patur interes te studentët?

Për këtë temë, gjithsecili që ndihet pasional dhe mirënjohës është i ndjeshëm. Është e vërtetë që unë kam qenë gjithmonë i dhënë për ta ngritur saksofonin në trajtë më institucionale. Kam filluar përpjekjet në kohë të hershme në Akademi dhe në Liceun Artistik. Ka patur shumë dëshirë nga të rinjtë vitet e mëparshme, por ana burokratike e ka penguar. Në këtë moment, gjërat kanë filluar të shtrohen pozitivisht përsëri në Akademi, pasi me hapjen e degës së muzikës jazz, ndihet një dëshirë dhe disiplinë më e madhe. Tashmë koncepti i mësimdhënies ka ndryshuar, pasi me studentët duhet të përshtatesh ndryshe, ku zë vend më shumë ana psikologjike dhe trajnimi mbi çfarë do dhe çfarë do të bëhesh. Faktikisht unë gjeneroj studentë, por ama si kudo ka humbje dhe prurje të pakta në këto degë.

Duke qenë kaq pranë brezit të ri të artistëve, çfarë mendon për prurjen e re të artit?

Në fakt unë jam i rrethuar nga brezi i ri. Sot tregun e muzikës së mirë po e mbajnë pikërisht ata individë që unë dhe një pjesë e miqve të mi muzikantë i kemi trajnuar që të vegjël. Në 5 vitet e fundit duke patur mundësinë e organizimit të Nyou Festival, ne i kemi dhënë shumë hapësira, me trajnime, koncerte, si të them i kemi shtruar rrugën dhe kemi krijuar mundësi që të kenë një lloj mbështetjeje dhe sigurie në vazhdimin e tyre. Jam i bekuar që marr mirënjohje prej tyre.

Për një brez tjetër, ju njiheni si instrumentisti i grupit “Spirit Voice”. Mbani kontakt ende me vajzat e grupit?

Në të vërtetë, “Spirit Voice” mbetet një nga dashuritë e mia. Kam bërë shumë gjëra të bukura pas atyre viteve, por akoma sot njerëzit thonë ai që del nga deti (qesh). Sigurisht që mbajmë kontakte dhe pse takohemi rrallë, për në çdo gjë fillon aty ku e kemi lënë.

Keli, po me dashurinë si i ke punët? Është dikush në zemrën tënde?

Dashuria nuk është punë (qesh). Unë jam i rrethuar plot dashuri, jap e marr. Kam zgjedhur të kem shumë pak njerëz rreth vetes, të cilët dhurojnë dhe marrin vetëm mirësi. Për zemrën nuk flas dot sepse ajo e di më mirë sesa unë, ku dhe kë mban ndër vete.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF