
Dëshira për të parë qytetin e lindjes plot jetë dhe ngjyra është një ndjenjë që shumë njerëz mbartin brenda vetes, por jo të gjithë kanë mundësinë ta bëjnë realitet. Për Anxhelën, një vajzë nga qyteti i një mbi një dritareve Berati, kjo dëshirë ka marrë formë konkrete përmes artit të saj. Duke jetuar në Francë, ajo ka mundur të sjellë qytetin e saj të lindjes në një dimension të ri, duke e zbukuruar atë me artin e saj të mrekullueshme. Në këtë bisedë me “Bordo”, Anxhela rrëfen gjithçka lidhur me pasionet e saj, lidhjen e thellë me artin, sfidat profesionale, por dhe planet e saj për të ardhmen.
Anxhela, qyteti yt i lindjes, Berati pak javë më parë u zbukurua nga disa ilustrime të punuara nga ti. Çfarë ndjesie është kur e sheh vendin tënd teksa stoliset me artin tënd?
Është një ndjenjë e veçantë të shohësh qytetin tim të zbukuruar me artin tim. Që kur isha e vogël kam patur pasion për artin dhe gjithmonë kam ëndërruar që një ditë arti të jetojë në Berat. Të shohësh punën time që kontribuon në bukurinë e qytetit tim është një kënaqësi e madhe dhe një mënyrë për të ndarë diçka të veçantë.
Si lindi kjo ideja?
Ideja lindi gjatë punës sime vitin e kaluar për një projekt që përfshinte ilustrime dhe Mapping. Gjatë kësaj kohe, zbulova që në Berat organizohet çdo vit eventi "Mangalem Shades". Si një vajzë e lindur dhe rritur në Berat, dëshira ime ishte ta shihja qytetin të gjallëruar, plot jetë dhe ngjyra, ashtu siç e përfytyroj unë.
Në punimet e tua ka shumë lule. Pse ke zgjedhur pikërisht këtë element për t'u identifikuar?
Në jetën time profesionale, unë punoj si designer global dhe ilustratore, me një fokus të veçantë te natyra. Lulet janë një element që më shoqëron gjithmonë në krijimtarinë time, dhe kjo lidhje nuk është rastësore. Jam rritur me një mami që i adhuronte lulet dhe i mbante gjithmonë të pranishme në shtëpi. Ky pasion i saj u bë pjesë e imja natyrshëm, duke ndikuar thellësisht në stilin dhe identitetin tim artistik. Për mua, lulet përfaqësojnë jetë, ngjyra dhe emocione, ndaj janë gjithmonë të pranishme në punimet e mia.
Nëse s'do ta dija që origjina jote është Berati, do të betohesha se Anxhela është një vajzë 100 për qind franceze. Klasin dhe sharmin mendon se e ke të lindur apo ka ndikuar jetesa në Francë?
Kjo është një pyetje delikate, sepse, në thelb, unë jam një vajzë shqiptare, por jetoj në Francë. Mund të them se jam rritur nga prindër që, pavarësisht angazhimit të madh në punën e tyre, nuk e lanë kurrë krijimtarinë jashtë shtëpisë sonë. Mendoj se shijet, klasin apo ndoshta edhe pak nga sharmi e kam formuar në mënyrë natyrale, mes kulturës familjare dhe ndikimeve të mjedisit ku jam rritur. Por a është e lindur apo e fituar? Hmm... Ndoshta një përzierje e të dyjave! Por, njëkohësisht, jam e rrethuar edhe nga një kulturë e dytë —ajo franceze — e cila më ka ndikuar dhe më ka dhënë një drejtim në mënyrën si e shoh botën, estetikën dhe elegancën. Ky kombinim mes rrënjëve të mia shqiptare dhe frymëzimit që marr nga jeta në Francë, më ka ndihmuar të formoj identitetin tim si artiste dhe si individ.
Një shqiptare që bën art në Paris, sa e vështirë apo e lehtë është?
Për të qenë e sinqertë, nuk është aspak e lehtë. Si në art ashtu edhe në botën e design-it, gjithçka varet nga njohjet dhe kontaktet. Konkurrenca është e lartë, sidomos në një qytet si Parisi. Aktualisht, kam disa kontrata me dyqane në Francë, ku ekspozoj dhe shes ilustrimet e mia. Por në të njëjtën kohë, vazhdoj të ushtroj profesionin tim kryesor: design-in.
Anxhela bën art shpirti, apo edhe art komerçi?
Unë do të thosha që puna ime është një ndërthurje mes artit dhe komercializmit. Ilustrimet dhe collage art janë një shprehje e vizionit dhe universit tim artistik, por në të njëjtën kohë, puna ime në design dhe drejtimin artistik më lidh me botën e markave dhe tregut. Më pëlqen të balancoj këto dy aspekte — të krijoj një qasje artistike, duke ruajtur autenticitetin tim, por edhe t'i përshtatem nevojave të klientëve dhe markave me të cilat punoj.
Si është jetesa jote në Francë? E mendon rikthimin në Shqipëri?
Jeta ime në Francë është një përzierje emocionesh dhe sfidash. Kam ndërtuar një rrugë profesionale këtu, duke punuar në design dhe art, dhe më pëlqen fakti që jam në një mjedis krijues dhe dinamik. Megjithatë, nuk është e lehtë. Sa i përket rikthimit në Shqipëri, për momentin nuk e kam në plan, por jam e hapur t'i jap Shqipërisë atë që kam mësuar këtu. Ndihem e lidhur me vendin tim, më mungon kultura, familja dhe energjia e tij, por profesionalisht, mundësitë që kam këtu janë më të shumta. Por, edhe pse largësia është e pranishme, mungesa e bashkëpunimit dhe punës në distancë me Shqipërinë nuk ndihet. Mundohem të mbaj një lidhje profesionale dhe krijuese me vendin tim, duke kontribuar dhe shkëmbyer eksperiencat e mia, pavarësisht distancës fizike.
Një projekt për të cilin po punon së fundmi?
Unë punoj në disa projekte njëkohësisht. Aktualisht, jam e angazhuar në Paris ku punoj në një studio për brand-et e luksit, ku merrem me gjithçka që lidhet me skenografinë, branding-un, produktin dhe art direction. Përveç kësaj, kam dy projekte me dy hotele/restorante në Shqipëri ku krijimet dhe design im është një bashkëpunim shumë i veçantë për mua. Ndërkohë, në kohën e lirë, vazhdoj të realizoj edhe collage art. Më pëlqen të jem e angazhuar me shumë projekte, sepse më jep energji dhe frymëzim të vazhdueshëm.