
Seriali “Një Dashuri” i cili transmetohet në televizionin Klan, renditet ndër tre produksionet më të suksesshme turke, duke ngjallur interes edhe në Shqipëri. “One Love" tregon historinë magjepsëse të Doas, një vajzë idealiste e cila bie në dashuri me Fatih, një djalë simpatik nga një familje e devotshme fetare, vlerat e të cilës bien ndesh me ato të nënës së saj, e cila është një grua moderne. Kjo krijon një dramë të fuqishme mes dy të rinjve, por edhe familjeve të tyre. Seriali eksploron evolucionin e fuqishëm të Doas e cila gjendet në një kurth plot të papritura, siç është shtatzënia e saj, e cila përmbys planet e jetës së saj, por edhe sjell më shumë ashpërsi në raportet familjare. Një histori komplekse dashurie, e cila bashkon dy familje që janë pole të ndryshme, por ndajnë të njëjtat të vërteta të thella. Aktorja kryesore Sıla Türkoğlu, e këtij seriali fenomenal turk, sjell si një udhëtim personazhin e saj, ndikimin e “One Love” në karrierën e saj.
“One Love” është një serial që tregon historinë e dy familjeve me stile të ndryshme jetese dhe konfliktet e tyre. Si u ndjetë pasi e lexuat skenarin për herë të parë?
Mendoj se të gjithë ishim të vetëdijshëm se do të flitej shumë. Ose do të ishte një hit ose do të merrte shumë reagime negative. Sigurisht që na ka bërë pak me ankth, nuk mund të mohohet, ka patur raste kur të gjithë jemi përballur me diskriminim në njëfarë mënyre në shoqëri. Të qenit pjesë e një projekti, që thekson një çështje të përbashkët që të gjithë e përjetojmë, ishte pjesa emocionuese për mua.
Doa është një personazh ideal, pa paragjykime. Çfarë mendoni për Doan dhe a ka ndonjë ngjashmëri mes jush dhe asaj?
Doa është në të 20-at. Ajo është një grua inteligjente, e fortë dhe me aspirata. Në fillim ajo u verbua nga dashuria, por tani është më e ndërgjegjshme. Gjithmonë mendoj se personazhet që luajmë nuk na vijnë rastësisht. Unë shoh ndjenja të ngjashme mes meje dhe Doas. Ajo nuk lejon askënd ta shtypë, ajo di t'i vërë në dyshim gjërat, në vend që t'i pranojë, dhe po ashtu jam edhe unë.
Marrëdhënia e Doas dhe Fatihit është plot probleme, edhe pse ata e duan njëri-tjetrin. A mendoni se është kaq e vështirë të duhen njerëz si ata? Po ju a mund të kishit një lidhje që familja të mos e miratonte?
Ne jemi ata që i krijojmë problemet. Nëse do të ndalonim së gjykuari dhe do të mësonim të respektonim njëri-tjetrin, nuk do të kishim probleme të tilla. Dallimet mund të jenë të mira në një marrëdhënie, nëse arrijmë të gjejmë një pikë të përbashkët. Në familjen time ka gjithmonë respekt për jetën personale. Unë kurrë nuk kam qenë në një situatë, ku prindërit e mi të shkojnë kundër dëshirave të mia ose të më bëjnë presion për diçka që nuk dua. Kështu që mendoj se nuk kam një përgjigje për këtë pyetje.
Si është marrëdhënia juaj me partnerin në emision, Doğukan Güngör?
Doğukan dhe unë kemi patur gjithmonë respekt për njëri-tjetrin. Prandaj kemi krijuar një miqësi të mirë dhe kuptohemi me njëri-tjetrin. Ne kalojmë shumë kohë së bashku edhe në jetën tonë të përditshme, pas xhirimeve, po ashtu edhe pjesa tjetër e ekipit.
A është emocionuese të punosh me Evrim Alasya?
Ajo është një aktore që e kam admiruar gjithmonë. Duke luajtur vajzën e saj më emocionoi, por edhe më trembi në fillim. Por tani them që jam shumë e lumtur që po punojmë së bashku. Evrimi është një grua e mrekullueshme. Është shumë mbështetëse dhe të bën të ndihesh mirë në sheshxhirim, por edhe jashtë saj. Mendoj se kemi gjetur një harmoni të mirë me njëra-tjetrën.
Si e perceptoni personazhin Doa në kontekstin e karrierës dhe çfarë rëndësie ka për ju?
Para së gjithash, ndodhi një ndërgjegjësim shumë i rëndësishëm, duke më mësuar se njerëzit mund të qëndrojnë së bashku pa diskriminuar në bazë të opinioneve dhe mënyrës së jetesës. Ndodh që në mënyrë të pashmangshme, paragjykimet tona hyjnë në lojë në disa pika. Të qenit pjesë e “One Love” më ndihmoi të kapërceja paragjykimet e mia. Mund të them se ishte një “pikënisje” shumë e mirë në karrierën time.
Doa ra në dashuri, u martua në një familje me një kulturë që nuk e njihte, u bë nënë, la shkollën dhe u tradhtua. Të gjitha këto sa ndikojnë te Doa dhe si ka ndryshuar ajo këto dy sezoneve?
Takimi ynë me Doan filloi pikërisht në pikën kur ajo doli nga zona e saj e rehatisë. Të gjithë jemi konfuzë, kur dalim nga jeta me të cilën jemi mësuar. Pikërisht në këto momente pësojmë një transformim, i cili nuk ka rëndësi nëse ndodh për mirë apo për keq. Doa ka ndryshuar gjithmonë gjatë këtyre proceseve: Doa nënë, e zëvendëson Doan në dashuri. Momenti kur ajo zbulon forcën e saj të brendshme, vjen kur ajo nis të mësojë nga të gjitha vuajtjet që kalon. Edhe pse duket sikur ka ngecur brenda një rrethi pa rrugëdalje, ajo vazhdimisht merr leksione nga ato që përjeton. Jam kurioze të di ndryshimet e radhës.
“One Love” nuk është si ato vepra ku dy personazhe zënë skenën qendrore dhe personazhet anësore zhvillojnë komplotin. Kjo e bën kastin e serialit të fortë. Si ishte për ju kjo eksperiencë, të ishe pjesë e një grupi kaq të talentuar?
Duke parë historitë e ndryshme të personazheve, kjo është diçka që nuk e mbyt audiencën, por i lejon të gjithë të gjejnë aty një pjesë të vetes.
Seriali po pëlqehet nga audienca botërore, çfarë komentesh keni marrë për “One Love”?
Është e jashtëzakonshme që puna jote po bën kaq shumë zhurmë dhe unë ndihem e përmbushur prej saj. Jam krenare dhe e emocionuar që jam pjesë e këtij seriali televiziv.
Sezoni i parë trajtoi botëkuptimet e kundërta të dy familjeve, ishte hera e parë që çështjet e shoqërisë turke dilnin hapur në një serial, sa sfidues ishte kjo për audiencën jashtë Turqisë?
Edhe pse jetoj në Turqi, herë pas here jam habitur, por edhe kam mësuar për këto dallime. Mund të jetë një panoramë interesante për audiencën jashtë vendit dhe për të parë jetën e kulturave të ndryshme.