Kurorëzimi i Mbretit Charles, i festuar majin e kaluar, ishte një ngjarje historike që tërhoqi vëmendjen e miliona njerëzve në mbarë botën. Por pas ceremonisë dhe festimeve solemne, fshihet një pyetje që shumëkush ia ka bërë vetes: sa kushtoi realisht ky kurorëzimi?
Sipas buxheteve zyrtare, të raportuara sot nga shtypi britanik, kostoja e përgjithshme e kurorëzimit të mbretit Charles ishte 72 milionë paund (rreth 90 milionë euro). Nga këto, 50 milionë paund u shpenzuan nga Ministria Britanike e Kulturës për organizimin e ngjarjes, ndërsa 22 milionë paund u përdorën për të mbuluar shpenzimet e sigurisë.
Këto shifra kanë ngjallur kritika të forta në vend, veçanërisht në një periudhë krize të kostos së jetesës; me një sondazh që zbuloi se 52 për qind e britanikëve besonin se ceremonia nuk duhej të financohej nga taksapaguesit. Megjithatë, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbrojti kostot e ngjarjes, duke theksuar se ishte një festë unike, e ndjekur nga rreth dy miliardë spektatorë në 125 vende.
Sigurisht që po flasim për një shumë që mund të duket e tepruar, por që ishte më e ulët se vlerësimet fillestare që flisnin për mbi 100 milionë paund. Për krahasim, kjo shifër është më pak se gjysma e 162 milionë paundëve të shpenzuara për funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022.
Për më tepër, në përputhje me shqetësimet e publikut, ceremonia e Mbretit Charles ishte mw e ulwt në krahasim me atë të nënës së tij në 1953, me rreth 2 300 të ftuar në Westminster Abbey, krahasuar me më shumë se 8 000 në kurorëzimin e Mbretëreshës Elizabeth.



















