
Këngëtari legjendar i rock-ut, Jon Bon Jovi, ka bërë të ditur se është shëruar plotësisht pas ndërhyrjes kirurgjikale në kordat vokale, të cilës iu nënshtrua në vitin 2022. Operacioni kishte ngritur shqetësime për të ardhmen e tij në skenë, por artisti tani thotë se rikuperimi është përmbyllur me sukses.
Në një intervistë për revistën PEOPLE, 64-vjeçari tregoi se gjatë viteve të fundit ka punuar intensivisht me specialistë të zërit dhe ka ndjekur terapi të vazhdueshme për të rifituar aftësitë e tij vokale.
“Jam rikuperuar plotësisht. U desh më shumë kohë nga sa mendoja, por ishte e domosdoshme të bëhej siç duhet. Ne nuk e humbëm kurrë besimin”, u shpreh ai.
Bon Jovi theksoi se gjithmonë ka pasur kujdes për zërin e tij dhe nuk ka pasur zakone që mund ta dëmtonin atë, por diagnoza e atrofisë së një prej kordave vokale ishte një moment i vështirë për t’u përballuar.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e anëtarëve të grupit gjatë periudhës së rikuperimit, duke thënë se ata kanë qenë pranë tij në çdo hap të procesit dhe nuk e kanë lënë asnjëherë vetëm gjatë provave dhe angazhimeve muzikore.
Një rol të veçantë në këtë periudhë, sipas artistit, ka pasur edhe familja, sidomos përvoja e re si gjysh. Ai tha se sfida shëndetësore e ka ndihmuar të ndryshojë mënyrën se si e sheh jetën e përditshme.
“Më parë mendoja gjithmonë për të nesërmen dhe nuk e shijoja të tashmen. Sot vlerësoj çdo ditë, familjen dhe gjërat e vogla që sjellin lumturi”, u shpreh këngëtari.
Grupi Bon Jovi pritet të rikthehet në skenë në korrik me turneun “Forever”, i pari pas katër vitesh dhe shfaqja e parë e madhe e artistit pas operacionit.
